16 vjet nga rënia e Ilaz Kodrës


E enjte, 30 Prill 2015

Skenderaj – Sot mbushen gjashtëmbëdhjetë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra.

Ai ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

Ilaz Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur. Atje, me dijeninë e kryetarit Ramiz Alia ishte caktuar një grup oficerësh shqiptarë: Ylli Mici, Hysen Imeri, Agron Dhimarko e të tjerë, të cilët morën pjesë në stërvitjen e tyre ushtarake, meqë ata ishin përcaktuar për luftë të armatosur kundër pushtuesit dhe jo për politikën pacifiste të pritjes dhe durimit deri në skllavëri e nënshtrim.

Qysh në vitin 1991, Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin, kanë shkuar në Shqipëri, ku edhe i kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe kanë mësuar taktikat e sulmit dhe të tërheqjes. Ai e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih ku kishte zhvilluar një aktivitet të fortë atdhetar dhe kishte bindur bashkatdhetarët që ta ndihmojnë luftën dhe të rreshtohen në radhët e UÇK-së.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator të vitit 1998, në altarin e Lirisë, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj Brigade, e cila mori emrin e komandant të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë.

Sot për nder të heroit Ilaz Kodra do të mbahet një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Etiketa: , ,
Të fundit