E shtunë, 16 Janar 2016
Reçak – Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, në oborrin dhe shtëpinë e Sadik Osmanit u luajt drama më e tmerrshme për banorët e Reçakut.
Për t’u mbrojtur nga granatimet, rreth orës 08:30 në bodrumin e shtëpisë së Sadikut ishin tubuar rreth 30 gra me fëmijë, ndërsa në ish-odën e burrave (e shndërruar më vonë në ahur të lopëve), po ashtu pronë e Sadik Osmanit, ishin grumbulluar rreth 30 veta, të cilët fillimisht policia kriminale serbe i nxori jashtë. Ushtarët serbë i shtrinë përtokë burrat dhe filluan t’i rrihnin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborr dëgjoheshin gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeriseshin gratë dhe fëmijët e mbyllur në çelës.
Pas kësaj drame trishtuese, kriminelët, sipas skenarit të përgatitur më herët kaluan në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët e gjallë gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit dëgjuan një komunikim me radiolidhje të komandantit të Çetës së Njësisë Speciale të Policisë, majorin Milan Leçiç, drejtues i operacionit. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, diku në mesditë, 29 burra i morën dhe në rresht për një, me duar mbrapa koke i nisën drejt malit. Te vendi i quajtur “Kodra e Bebushit” u ndaluan nga njësia speciale operative për ndjekje e ish-gjeneralit famëkeq Goran Radosavleviç, me të cilët qe komunikuar me radio pak më parë nga oborri i Sadikut. Pikërisht në luginën e “Kodrës së Bebushit”, ashtu siç qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale ekzekutuan pamëshirshëm me breshëri automatiku nga afër 24 burra. Shpëtuan vetëm pesë të fundit në kolonë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Imer Imeri.
Nga ora 06:45 deri më 15:30 një tmerr të tillë e pësuan edhe 18 banorë të tjerë civilë, mes të cilëve edhe nëna e pesë fëmijëve Sahide Metushi, 61 vjeç, e cila u vrarë dhe u zhduk nga kriminelët serbë shtatëmbëdhjetë vite më parë.
Gjatë asaj dite, në mbrojtje të fshatit Reçak ranë nëntë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u plagosën tetë të tjerë.
Masakra e 17 janarit 1999 në Reçak tronditi mbarë opinionin botëror, me pamjet e llahtarshme që shokuan gjithë njerëzimin paqedashës e liridashës. Ajo u bë një pikë kthese vendimtare që e shtyu bashkësinë ndërkombëtare të mendojë më tepër, që palëve në luftë t’u kërkonte të përgatiteshin për bisedime me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Përveçse një kthesë historike në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, masakra i parapriu fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.