E mërkurë, 21 Gusht 2013
Josip Broz Tito nuk ka qenë me origjinë jugosllave. Këtë e pohon një dokument i hequr nga lista e dokumenteve sekrete dhe i botuar në faqen e CIA-s. Agjencia e inteligjencës amerikane thotë se, ky konkluzion del nga analiza fonetike e të folurës të tij.
Tito – i cili erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore dhe mbajti postin e Presidentit të Jugosllavisë deri në vdekje në vitin 1980 – kishte zyrtarisht një prejardhje kroato-sllovene.
Por dokumenti thotë se, nisur nga e folura e gjuhës “serbo-kroate” nga ana e tij – gjuha e nënës, por e folur me theks të huaj – del se gjuha e vërtet e tij amtare, ose të paktën njëra afër saj, është rusishtja ose polonishtja, raporton gazeta me bazë në Beograd “Politika”.
Autorët e kësaj analize, dalin në përfundimin se, kjo është një hipotezë logjike, por theksojnë se identiteti i vërtetë i Titos nuk ka qenë jugosllav.
Dokumenti pohon se, kjo është edhe arsyeja e “objektivitetit dhe suksesit në zgjidhjen e problemeve të ndryshëm dhe konflikteve etnike në Jugosllavi.”
Fjalimi i marrë në analizë i përket vitit 1977. Dokumenti i CIA-s thotë se kërkimet e mëtejshme për identitetin e vërtetë të Titos mund të shërbejnë si qëllim akademik.