E diel, 28 Qershor 2020
TIRANË – Sot kujtojmë 18 vjetorin e kthimit të Familjes Mbretërore në Shqipëri, 28 qershor 2002. Në këtë rast dua të falenderoj përzemërsisht të gjithë deputetët që firmosën kthimin tonë, pa dallime politike!!
Pas një lobimi të fuqishëm me drejtuesit e partive parlamentare, u arrit një marrëveshje politike ku kryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, më 17 qershor 2002, firmosën një dokument të përbashkët, ku ndër të tjera shkruhej: ”Duke respektuar Familjen Mbretërore Shqiptare, jemi të bindur se respektojmë themelimin e shtetit modern shqiptar nga Mbreti Zog I. Me kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, merr fund një padrejtësi e shkaktuar nga pushtimi fashist dhe diktatura komuniste”.
Deklarata e grupeve parlamentare u shoqërua me kërkesën e 74 deputetëve firmëtarë (nga 140 që kishte Kuvendi), ku kërkohej: “Ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”.
Në aeroportin “Nënë Tereza”, atmosfera ishte e jashtëzakonshme – festë kombëtare. Me flamuj kombëtarë dhe të Legalitetit, me pankarta në duar, me kostume të larmishme kombëtare, nën muzikën e orkestrës frymore dhe asaj popullore, me këngë e valle, të pranishmit festonin dhe i uronin mirëseardhjen Familjes Mbretërore në atdhe.
Etiketa: Familja Mbretërore, Princ Leka, Shqipëri