E mërkurë, 1 Janar 2014
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka vlerësuar sfidues për Kosovën vitin 2013. Në intervistën për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se është koha e fundit që në Kosovë të ndryshojë qasja e politikbërjes.
“Qasja e politikbërjes duhet të ndryshojë shumë për të qenë viti 2014 më i mirë sesa ishte viti 2013. Nëse viti 2014 arrin të krijojë disa premisa pozitive në zhvillimin e demokracisë dhe sjell një qasje të re ndaj proceseve demokratike që pritet të ndodhin, do ta konsideroja vit të mirë”, është shprehur Krasniqi. Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2014 Kosova, krahas zhvillimit ekonomik dhe papunësisë, do të ballafaqohet me shumë sfida, duke përshirë edhe anëtarësimin e vendit tonë në OKB. “Edhe në planin e jashtëm do të kemi sfida. Në këtë rast do ta veçoja anëtarësimin e Kosovës në OKB, e cila vendit tonë do t’i bëjë pengesa të mëdha në shumë mekanizma ndërkombëtarë si dhe rruga e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke iu referuar zhvillimeve politike në Kosovë, sidomos në Kuvend, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se jo vetëm që i është mërzitur politika, por është i është gërditur. “Si është zhvilluar politika në legjislaturën e fundit jo vetëm se më është mërzitur, por më është gërditur. Politika kërkon ide dhe përkushtim. Gjatë vitit që po e lamë pas nuk e kemi parë as njërën e as tjetrën”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi nuk e ka pohuar e as mohuar se në vitin 2014 do të krijojë parti politike. Ai ka thënë se ky vit do të sjellë risi në planin politik. “Viti i Ri 2014 sigurisht do të sjellë risi në planin politik”, është shprehur Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, sa ka qenë sfidues për ju dhe institucionet e Kosovës viti 2013?
Krasniqi: Koha jonë është kohë sfidash edhe për vendet që kanë një traditë të funksionimit demokratik të institucioneve të shtetit e mos të flasim për një vend të ri siç është Republika e Kosovës, e cila si trashëgimi nga e kaluara ka funksionimin jodemokratik të institucioneve të shtetit. Ka si trashëgim mentalitetin megaloman e të gjithëpushtetshëm të njishave që “vrajnë e kthjellin”, diçka që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë dhe të tejkalohen kjo “trashëgimi” brenda nate është e pamundur. Ne që kemi pasur fatin e po dashi edhe fatkeqësinë për të qenë në këto kohë në drejtim të institucioneve, nuk e kemi luksin të flasim për sfida personale (ndonëse janë edhe këto), por kemi të bëjmë me sfida të cilat lidhen me fatin e kombit e të vendit, të gjeneratës së re e cila kërkon më të drejtë mundësitë e reja, të arriturat e reja të kohës. Për institucionet e Kosovës edhe viti 2013 ka qenë vit i sfidave të ndryshme. Sfida kanë qenë mosfunksionimi demokratik i institucioneve, mosprofesionalizmi e efikasiteti. Sfida kanë qenë mungesa e sundimit të ligjit, zhvillimi ekonomik. Papunësia vazhdon të jetë një sfidë tjetër e madhe për vendin tonë. Mosperspektiva për gjeneratat të reja të cilat detyrohen ta gjejnë perspektivën e tyre në ikje etj. Këto nuk janë sfida të lehta për udhëheqësit e përgjegjshëm.
“Epoka e re”: Sipas jush, si ka funksionuar politika e brendshme dhe e jashtme e Kosovës?
Krasniqi: Institucionet tona, duke mos trashëguar ndonjë traditë të funksionimit të brendshëm dhe të jashtëm, i kanë sukseset e tyre, ndonëse në përmasa tepër të kufizuara. Këtu sigurisht se ka vend për një përkushtim ndryshe, një përkushtim, siç thuhet, “me mish e shpirt”. Përkushtim ky i munguar. Me Kushtetutë funksionimi i institucioneve është mjaft i pavarur, por veç pavarësisë institucionet e kanë të paraparë edhe bashkëpunimin mes tyre për t’i harmonizuar politikat kombëtare, si ato të brendshmet, edhe ato të jashtmet. Mungesa e një bashkëpunimi më harmonik si në planin e brendshëm, po ashtu edhe të jashtëm ka bërë që të kemi shumë veprime të gabuara që nesër mund të na hakmerren.
“Epoka e re”: Po institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë?
Krasniqi: Institucionet ndërkombëtare, ne kosovarët nuk jemi kompetentë t’i vlerësojmë. Sido që të jetë, nga ato institucione nuk mund ta kërkojmë përgjegjësinë që duhet ta kërkojmë nga vetja jonë. Ato nuk mund të ecin para përgjegjësisë e përkushtimit tonë. Ata janë këtu me mandat të caktuar e të afatizuar.
“Epoka e re”: Për një vit ka pasur përmirësim të imazhit të Kosovës?
Krasniqi: Po të shikohet Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën mund të themi se kemi pasur progres. Kuptohet, nëse kjo shkallë e progresit nuk ka ardhur si rezultat i bisedimeve të zhvilluara në mes kryeministrit tonë edhe atij të Serbisë. Sigurisht se kërkohet kohë punë e madhe deri te krijimi i një imazhi të ri për Kosovën.
“Epoka e re”: Sa ka qenë aktive diplomacia parlamentare gjatë vitit 2013?
Krasniqi: Sigurisht se kemi pasur një diplomaci parlamentare, por diplomacia parlamentare në të shumtën e rasteve nuk ka qenë e harmonizuar me atë të institucioneve të tjera, mendoj me atë të Ministrisë së Jashtme dhe atë të Presidentes.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, me çfarë sfidash do të ballafaqohet Kosova në 365-ditshin e ardhshëm?
Krasniqi: Sigurisht se edhe në vitin e ardhshëm vendi ynë do të përballet me shumë nga vështirësitë e vitit që po e lëmë. Për mua sfida më të mëdha do të jenë: zhvillimi ekonomik, papunësia, sundimi i ligjit etj. Edhe në planin e jashtëm do të kemi sfida. Në këtë rast do ta veçoja anëtarësimin e Kosovës në OKB, e cila vendit tonë do t’i bëjë pengesa të mëdha në shumë mekanizma ndërkombëtarë si dhe rruga e integrimeve euroatlantike. Sfidat e brendshme nuk janë të papërballueshme, por ato kërkojnë një angazhim, planifikim e përkushtim tjetër nga qasjet që kemi pasur deri tani.
“Epoka e re”: Jeni optimist se viti 2014 do të jetë më i mirë për shtetin e Kosovës në aspektin ekonomik dhe politik?
Krasniqi: Zakonisht jemi optimistë edhe si popull, por për të qenë optimist racional, qasja e politikbërjes duhet të ndryshojë shumë për të qenë viti 2014 më i mirë sesa ishte viti 2013. Nëse viti 2014 arrin të krijojë disa premisa pozitive në zhvillimin e demokracisë dhe sjell një qasje të re ndaj proceseve demokratike që pritet të ndodhin, do ta konsideroja vit të mirë. Në qoftë se vazhdohet me politika të vjetra shumëçka do të riciklohet pa sjell ndryshime politike e, për pasojë, as ndryshime ekonomike. Në Kosovë nuk kemi zhvillim ekonomik, pasi nuk kemi politika të qarta për një ekonomi kombëtare funksionale.
“Epoka e re”: Gjatë dy legjislaturave që udhëhiqni Kuvendin, cili ka qenë momenti më i këndshëm dhe i pakëndshëm për ju?
Krasniqi: Këto dy legjislatura sigurisht se kanë pasur shumë momente të këndshme e aty, ku ka momente të këndshme, sigurisht se ka edhe momente të pakëndshme. Një ndër momentet më të këndshme, sigurisht se ka qenë akti i shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës së bashku me momentet e tjera që janë lidhur me pavarësinë. Miratimi i Kushtetutës dhe i simboleve të shtetit e kanë pasur rëndësinë e tyre, me këto veprime qytetari i Kosovës është bërë me pasaportën e identitetit të shtetit. Miratimi i ligjeve për funksionimin e institucioneve të pavarura të shtetit padyshim se ka qenë një kënaqësi në vete. Zhvillimi i debateve përmbajtjesore me kulturë e të argumentuar është një kënaqësi, edhe pse këtë lloj të kënaqësisë e kemi parë rrallë. Momentet më të pakënaqura sigurisht kanë qenë ato kur Kuvendi nuk ka qenë vetvetja. Në legjislaturën e dytë të pavarësisë Kuvendi shpesh nuk ka qene vetvetja. Kuvendi nuk ka qenë vetvetja sa herë që ka bërë zgjedhje të instrumentalizuara dhe i ka veshur me përgjegjësi e autoritet njerëzit që nuk e kanë merituar. Zgjedhje të tilla në këtë legjislaturë kemi bërë shumë. Kjo më shtyn të them se në këtë plan kjo legjislaturë mos u përsërit më kurrë!
“Epoka e re”: E keni pasur të vështirë ta udhëhiqni Kuvendin vitin që po e lëmë pas për shkak të pozicionimit tuaj politik?
Krasniqi: Vështirësi sigurisht se ka pasur, por zgjidhjet i kam bërë duke u mbështetur në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Jam përpjekur që përcaktimi im politik mos ta dëmtonte funksionimin e Kuvendit si institucioni kryesor i vendit. Për këtë çështje mendimi i të tjerëve është më kredibil, pasi shpesh perceptimi i të tjerëve është përcaktues.
“Epoka e re”: Jeni mërzitur nga politika?
Krasniqi: Politika si është zhvilluar në legjislaturën e fundit jo vetëm se më është mërzitur, por më është gërditur. Politika kërkon ide dhe përkushtim. Gjatë vitit që po e lëmë pas nuk e kemi parë as njërën e as tjetrën. Shpresojmë se këto gjëra do të ndryshohen në vitin 2014!
“Epoka e re”: Cilat janë synimet tuaja për vitin 2014? Do të themeloni parti politike, për të cilën është përfolur gjatë një viti?
Krasniqi: Viti i Ri 2014 sigurisht se do të sjellë risi në planin politik. Para së gjithash mendoj në zgjedhjet kombëtare që duhet të ndodhin në vitin 2014. Ndryshimet pozitive do të krijojnë hapësira për zhvillime të tjera pozitive, pse jo edhe perspektiva të reja për qytetarët tanë.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, përveç politikës, merreni edhe me shkencë. Çfarë jeni duke punuar në këtë drejtim?
Krasniqi: Për krijimtarinë do të mendoj në rrethana më të qeta e më frymëzuese. Në rrethanat e tensioneve politike nuk ka hapësirë për krijimtari, edhe pse shumë maje të krijimtarisë botërore janë krijuar në kushte të vështira për jetën e krijuesve, madje edhe në pushtete të egra. Krijimtaria, jo vetëm letrare, kërkon frymëzim dhe kohë për studim e krijim.
(Lirim GECI)