2018 vit i grabitjeve e kontrabandës me narkotikë


E enjte, 3 Janar 2019

PRISHTINË – Grabitësit nuk ndaluan aktivitetin e tyre kriminal, ndërsa shkaktuan frikë e panik te punëtorët e institucioneve që u sulmuan.

Me numër minimal të zbardhjes së rasteve dhe me pak dënime të shqiptuara, trendi i grabitjeve vazhdoi me ritëm të njëjtë.

Vetëm gjatë këtij viti, janë evidentuar më shumë se 260 raste të grabitjeve në lokacione të ndryshme në gjithë vendin. Cak ishin bankat, bizneset, shtëpitë e banimit dhe objektet e ndryshme, njofton Koha.net.

Gjatë këtyre aksioneve që shpesh ngjajnë me skena filmash, ka pasur edhe raste që kanë përfunduar me fatalitet për policë e grabitës.

27 dhjetori i 2018-s, ishte tronditës për Istogun. Pikërisht në këtë vend ka mbetur i vdekur një person i cili ka tentuar të kryejë grabitje në një bankë në Istog. Me këtë rast, i vdekur ka mbetur edhe polici Izet Demaj, i cili ishte në krye të detyrës. Ky është rasti i dytë që brenda vitit vritet një grabitës.

Në të gjitha rastet grabitësit kanë qenë të armatosur e jo rrallëherë kanë pësuar qytetarë të ndryshëm, që kanë përfunduar si të sulmuar, si pengje, apo thjeshtë si dëshmitarë krimi.

Qëllimi arsyeton mjetin për ta, andaj pasojat ishin të konsiderueshme.

Bankat sivjet, si asnjëherë tjetër, kanë qenë cak i grabitjeve, të cilat janë kryer në pikë të ditës. Grabitësit nuk kanë kursyer as klientët e pranishëm derisa po kryenin punë brenda këtyre objekteve, duke i tmerruar me mënyrën e tyre të grabitjes, pra, të armatosur dhe të maskuar. Shumica e grabitësve kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes, pa asnjë problem.

Për njohësit e sigurisë, ky fenomen është tejet shqetësues, andaj nevojitet më shumë kujdes, në të kundërtën, rrezikon të shpeshtohet edhe më tej.

Si rëndom, edhe pse grabitësit ishin aktivë gjatë ditës, për shumëkënd netët rezultuan më të tmerrshme.

Për të mbrojtur pasurinë e tyre, disa sipërmarrës u janë kundërvënë grabitësve, por kanë pësuar lëndime të rënda trupore duke përfunduar në spital.

Megjithatë, vjedhësit nuk janë ndalur, duke i demoluar objektet e lokaleve të ndryshme.

Në Policinë e Kosovës, konfirmojnë se nga 260 raste të grabitjeve, kanë arritur të zbulojnë vetëm 13 grupe kriminale.

Prej tyre, 32 persona janë të dyshuar për këto vepra.

Sipas Hoxhës, ndonëse policia ka punuar vazhdimisht për kapjen e autorëve, këtë vit numri i grabitjeve është më i vogël sesa më 2017-n, por megjithatë është nivel mjaft shqetësues.

E, jo vetëm me grabitësit pati punë policia.

Njësitet e antidrogës në së paku 1,750 raste hasën në kontrabandë me ç’rast dyshoi për 2,155 persona të përfshirë, nga ta 2012 u arrestuan.

Për të gjitha rastet, janë ngritur 1433 kallëzime penale.

Vendi ku më së shumti abuzohet me drogat dhe substanca tjera narkotike, është pikërisht këtu, në lagjen Dardania. Këto hapësira nuk janë nën vëzhgimin e as mirëmbajtjen e organeve gjegjëse. Të tilla vende janë të shumta në kryeqytet dhe qëndrojnë kështu me vite, derisa banorët janë vazhdimisht të shqetësuar me këto pamje.

Gjatë aksioneve të policisë, edhe janë konfiskuar substanca të shumta narkotike.

U sekuestruan rreth 120 kilogramë heroinë, 1000 kilogramë marihuanë, rreth 2 kg kokainë, 259 bimë kanabisi dhe hashash, fara kanabisi e ekstazie në sasi më të vogla.

Të gjitha këto aktivitete kriminale, sipas policisë, nuk janë bërë pa bashkëpunimin e grupeve kriminale të vendit me ato të rajonit.

KTV-ja ka raportuar gjatë vitit 2018, se të përfshirë në raste të tilla kanë qenë edhe emra të njohur të skenës politike.

Djali i shefit të AKI-së, është ndaluar në fillim të tetorit nga Policia, tek i cili u gjetën substanca narkotike.

Ndërsa, së fundi në rastin më të madh të kapjes së heroinës, u përfshi edhe një punëtor i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës e që u tha të jetë shoferi i Gani Thaçit, që njëherësh është vëllai i presidentit të shtetit.

Fushatat e policisë gjatë 2018-s, janë përqendruar kryesisht në vetëdijesimin e të rinjve dhe janë zhvilluar nëpër shkolla fillore e të mesme.

34,375 patrullime rreth shkollave
18,620 vizita dhe kontakte me personelin e shkolla
38,643 persona të kontrolluar
18290 vetura të kontrolluara
353 lokale të kontrolluara
357 ligjërata në shkolla, 20,347 pjesëmarrës/nxënës& prindër
19,873 pjesëmarrës/nxënës
474 pjesëmarrës/prindër
1,775 fletushka/broshura
Gjatë fushatës së Policisë në shkolla janë iniciuar 524 raste, nga të cilat janë ndaluar 656 persona.

Raste dhe të arrestuar:

Të iniciuara 524 raste
Të arrestuar 656 persona
Gjithsej janë konfiskuar:

62.74 gr marihuanë, brenda objekteve të shkollave
134.38 gr marihuanë në oborre të shkollave
4 kg 051 gr marihuanë në afërsi të shkollave
Nga 656 persona të arrestuar, 140 ishin nxënës, ndërkaq 516 prej tyre nuk ishin.

E, nga ky numër i të arrestuarve, 506 prej tyre ishin përdorues të drogës, ndërsa 150 prej tyre shpërndarës të saj.

506 konsumues të drogës
50 persona shpërndarës të drogës
Përgjithësisht, edhe ky vit ishte shumë i ngarkuar për Policinë e Kosovës, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e rasteve të grabitjeve dhe parandalimin e kontrabandës me substanca narkotike.

Por, me fare pak raste të zgjidhura mund të themi se puna e organeve të rendit nuk ishte aq efektive.

Etiketa: , , , ,
Të fundit