Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova me ligj të ri nuk lejon qytetarët të luftojnë jashtë vendit

Prizren Post | 18:05 - 10.01.2014

Prishtinë, 10 janar – Pjesëmarrja e kosovarëve dhe madje vdekja e disa prej tyre në luftimet në Siri e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të mendojë për hartimin e një bazë ligjore që ua ndalon pjesëmarrjen kosovarëve në luftëra jashtë vendit, një praktikë kjo e ndjekur edhe nga disa vende europiane.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Këshilltari i Kryeministri Hashim Thaçi, Bekim Çollaku.

“Në ditët e ardhshme, qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë legjislacionin adekuat për ta ndaluar me ligj një dukuri të tillë e cila nëse nuk sanksionohet me ligj, ka rrezik të marrë përmasa shqetësuese dhe të përsëritet edhe në raste tjera. Në momentin që qeveria e Republikës së Kosovës do të miratoj legjislacionin adekuat, ai do ti dërgohet parlamentit të Kosovës për miratim. Pra, kjo dukuri e rrezikshme duhet të sanksionohet me ligj me qëllim që të parandalohen përsëritja e rasteve të tilla tragjike në të ardhmen”, thotë Çollaku për Express.

Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet përafërsisht në të njëjtën mënyrë.

”Ne kemi qëndrim se vetëm për mes vendimeve të institucioneve tona qytetarët mund të angazhohen jashtë vendit në aktivitete paq-krijuese, apo konflikte të tjera me qëllime paqësore. Ende nuk është Shkuarja e individëve, por do të shikohet mundësia ligjore dhe praktikat ndërkombëtare”, thotë Kuçi për Express.

Qeveria e Kosovës, megjithëse janë vrarë disa qytetarë kosovarë në luftën e Sirisë, deri tash nuk ka dalë me një qëndrim për këtë çështje. Ajo është përgjigjur vetëm pasi Express ka dërguar pyetje për këtë rast.

Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se brenda në Qeveri e kanë diskutuar këtë problem.

“Ne kemi pasur diskutime të brendshme në këto çështje dhe kemi menduar disa angazhime se si të parandalohet apo edhe format e ndalimit ët shkuarjes. Na vjen keq që njerëzit shkojnë dhe vdesin atje”, thotë Kuçi, por nuk ka përgjigje në pyetje t e Express se pse nuk ka dalë Qeveria e Kosovës me një qëndrim për këtë çështje më herët. Në lidhje me situatën e krijuar me kosovarët në luftën e Sirisë, Bekim Çollaku, këshilltar i Kryeministrit thotë se “Qeveria e Republikës së Kosovës është e tronditur me faktin që qytetarë të vendit tonë janë të përfshirë në një luftë të pakuptimtë dhe të përgjakshme në Siri”.

Sipas tij, ky veprim individual i qytetarëve të Kosovës për përfshirjen e tyre në një luftë jashtë territorit të shtetit tonë kundërshtohet fuqimisht nga qeveria e Republikës së Kosovës sepse në asnjë formë nuk ndërlidhet me interesat nacionale dhe shtetërore të vendit tonë.

“Pavarësisht se cilat janë arsyet që ndikojnë tek ata individ që të marrin një vendim të tillë i cili tashmë po iu kushton edhe me humbjen e jetës së tyre, ato janë tërësisht të pajustifikushme. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës apelon tek qytetarët që mos ta rrezikojnë jetën e tyre në asnjë rrethanë duke u bërë pjesë e luftërave apo konflikteve të armatosura që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin tonë si shtet dhe si komb”, thotë Çollaku për Express.

Vetëm brenda javës së fundit është konfirmuar vdekja në luftime e së paku tre kosovarëve./zhurnal


Etiketa:
Arivisti Company