5 vjetori i nënshkrimit të ‘Zajednicës’

Autor: Albin KURTI

Ditën që Gjykata Kushtetuese mori vendimin kundërshtues ndaj ‘Zajednicës’, më patën liruar nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë. Me secilin nga shtatë kapitujt e saj, ‘Zajednica’ nuk përputhej me Kushtetutën në gjithsej 23 nene. Pra, jo në dy a tri nene, por në plot 23 nene të Kushtetutës. Asnjë serb i Kosovës asokohe nuk protestoi e as s’u ankua. Vetëm Beogradi dërgonte nota proteste.

Sot janë mbushur pesë vjet prej kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Kjo marrëveshje i shtonte lidhjet horizontale të 10 komunave të Kosovës dhe e forconte lidhjen e tyre vertikale me Beogradin.

Bashkësia e 14 komunave me shumicë serbe në Bosnje u formua më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ajo bashkësi e shpalli pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratoi kushtetutën e vet. Ndërkombëtarisht kjo iu njoh më 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit. ‘Zajednica’ ishte përpjekja e Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës.

Nënshkrimet e shqiptarëve në fund nuk duhet të na hutojnë. Teksti i ‘Zajednicës’ ishte i shkruar serbisht. Në vijim janë disa probleme themelore të dokumentit të ‘Zajednicës’:

Pika 2 eviton Kuvendin e Kosovës dhe thotë që ‘Zajednica’ do të jetë entitet ligjor me karakter të veçantë.

Pika 3 tregon që Statutin e miraton Asambleja e ‘Zajednicës’ e jo shteti, Republika e Kosovës. ‘Zajednica’ do ta kishte rendin vetanak juridik: Marrëveshja e 19 prillit 2013, Marrëveshja e 25 gushtit 2015, Statuti.

Pika 4 tregon që ‘Zajednica’ do të ketë kompetenca të karakterit administrativ, që në aspektin juridik do të thotë ekzekutiv: mbikëqyrje të plotë në ekonomi, arsim, shëndetësi, kujdes social planifikim urban e rural, Më tutje, ‘Zajednica’ i përfaqëson anëtarët e saj karshi Prishtinës dhe ajo vendos marrëdhënie ndërkombëatare me asociacione komunash nëpër botë. Kështu, ‘Zajednica’ shfaqet si nivel i pavarur i vetëqeverisjes.

Pika 5 thotë që ‘Zajednicës’ mund t’i delegohen kompetenca shtesë nga autoritetet qendrore. Këtë gjë nuk e mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Pika 6 tregon që Asambleja e ‘Zajednicës’ mund ta amandamentojë Statutin; se ‘Zajednica’ do të ketë president dhe zv. president, këshillin me 30 anëtarë dhe bordin ekzekutiv me 7 anëtarë, administratën e vet, me një shef të saj dhe selinë e ‘Zajednicës’.

Pika 8 e barazon ‘Zajednicën’ me autoritetet qendrore, pra qeverinë e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe shkëmbimin e informacioneve midis tyre.

Pika 9 thotë që ‘Zajednica’ do të promovojë interesat e komunitetit serb, ndonëse aty mbi çereku i popullsisë nuk do të ishin serbë.

Pika 10 thotë se ‘Zajednica’ mund të propozojë amandamente të legjislacionit dhe rregulloreve, pra të bëhet autoritet i burimit të së drejtës, duke u barazuar me Kuvendin dhe qeverinë.

Pika 11 thotë se ‘Zajednica’ mund t’i adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Republikën e Kosovës.

Pika 13 tregon që katër komunat në veri të Ibrit janë bërthama e ‘Zajendicës’ me komandatin e tyre të policisë.

Pika 17 thotë se Serbia është e obliguar ta financojë ‘Zajednicën’ dhe se ajo do të lirohet nga tatimi.

Pika 19 thotë që ‘Zajednica’ mund ta shpërbëjë vetveten me 2/3.

Pika 20 thotë se ‘Zajednica’ do të ketë flamur dhe simbole të veta.

Pika 21 që thotë se Ekipi Menaxhues i cili përpilon Statutin përbëhet nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së.

Kjo marrëveshje e keqe erdhi për shkak se njerëz të papërgatitur, pa kërkesa ndaj Serbisë e pa platformë të Kosovës, e bënë shtetin tonë shumë më tepër temë sesa palë në bisedime. Pa e nxjerrur këtë mësim, vetëm sa përsëriten të këqijat. Me mënyrën e njëjtë nuk ka rezultate tjera.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:

Leave a Reply