E mërkurë, 22 Prill 2015
Qeveria shqiptare do të kontribuojë me 55 milionë lekë për rikonstruktimin e Muzeut “Marubi” në Shkodër.
Vendimi për bashkëfinancimin e projektit “Rikonstruksioni i muzeut Marubi”, u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u vendos, “bashkëfinancimi, në vlerën e përgjithshme 55 000 000 (pesëdhjetë e pesë milionë) lekë, për realizimin e zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i muzeut “Marubi””, si pjesë e projektit HERA – menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore në zonën e Adriatikut, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet komponentit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar, dhe nga Fondi Shqiptaro-Amerikan”.
Më herët kryeministri Edi Rama kishte premtuar se, “më në fund, thesari i ‘Marubit’ do të dalë nga burgu i harresës dhe lagështirës”. Më datë 15 prill, në Shkodër u firmos memorandumi i mirëkuptimit për restaurimin e Muzeut “Marubi”, duke i hapur rrugën financimit të projektit dhe nisjes së punimeve.
Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare “Marubi” synon futjen e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut.
Etiketa: Muzeu Marubi, Qeveria Rama