60 veta lënë AAK-në shkojnë në LDK


E diel, 30 Qershor 2013

Struktura drejtuese të disa nëndegëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nga Ferizaj, kryesisht të rinj, i janë bashkuar të shtunën degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), zyrtarët e së cilës kanë thënë se me këtë hap, këta i janë rikthyer trungut rugovian.

Kryetari i degës së LDK-së Muharrem Sfarqa, ka thënë se bëhet fjalë për rreth 60 veta që kanë bartur barrën kryesore organizative të AAK-së në nëndegët prej nga kanë ardhur. Sfarqa me këtë rast i ka falënderuar të gjithë këta që aderuan në subjektin e tij, duke thënë se këta më parë kanë qenë pjesë e LDK-së, por që për arsye të ndryshme kanë braktisur këtë subjekt, e që tash me dëshirë i janë bashkuar platformës unifikuese të tij. “Kjo përbën pjesën themelore të platformës sonë rikthimin e të gjithë rugovistëve në trungun rugovian”, ka thënë Sfarqa, njofton kosovapress.

Për më tepër mësohet se LDK-së i janë bashkuar, drejtuesit e nëndegëve të Gremës, Gaçkës, Lloshkobarës, nëndegës së IV të qytetit, Talinocit të Muhaxhirëve, të cilat edhe kanë pasur një numër të madh votuesish në zgjedhjet e fundit.”Janë krijuar rrethana të reja që njerëzit e rinj po e shohin perspektivën në LDK, po shohin se ky subjekt dita ditës po forcohet drejtë sukseseve të reja”, ka thënë Sfarqa, i cili si moment të veçantë e ka vlerësuar kalimin e veteranit dhe invalidit të luftës së UÇK-së Ylber Selmani, ish-prestarë i Brigadës “Ismet Jashari-Kumanova”, për të cilin ka thënë se përfaqëson njeriun e sakrificës që dha edhe gjymtyrët e tij për lirinë e Kosovës, e që përkujdesi i shoqërisë është minor.

Ai ka thënë se LDK në platformën e saj politike ka paraparë një përkujdesje më të lartë për këtë kategori e cila ka mbetur pa shpresë. Fisnik Topalli, i cili për shumë kohë ishte në krye të nëndegës së AAK-së në Greme, theksoi me këtë rast se ky aderim i strukturës së nëndegës ka ardhur si refleksion i pakënaqësisë me punën e këtij subjekti. Ai ka thënë se të LDK-ja ka gjetur vizionin dhe energjitë për ndryshim pozitiv, pjesë e së cilës do të jetë edhe ai drejtë fitoreve.

Sfarqa po ashtu ka thënë se subjekti që ai drejton ka raporte të mira bashkëpunimi me AAK-në, dhe se këto kalime nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet reciproke, për faktin se edhe nga LDK ka pasur aderime në radhët e AAK-së

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit