Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

7 format e shpalljes të profecisë së Muhammedit a.s.

Prizren Post | 14:30 - 19.10.2013

Allahu ia solli Shpalljen Pejgamberit në shumë forma:

E para: Ëndrrat e sakta. Ato ishin edhe fillimet e Shpalljes. Sa herë që shikonte ëndërr, i dilte si agimi i mëngjesit.[1] .

E dyta: Shpallja që ia sillte engjëlli në zemrën e tij, pa e parë vetë engjëllin, sikurse ka thënë Profeti: “Me të vërtetë, Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) më shpalli në zemër se s`ka për të vdekur askush derisa ta plotësojë riskun që i është caktuar. Kini frikë Allahun dhe tregoni maturi në kërkimin e riskut. Mos t`u nxisë vonimi i riskut që ta kërkoni me kundërshtim të Allahut, sepse ajo që është tek Allahu arrihet veçse me bindje ndaj Tij (d.m.th: përmes rrugëve të ligjshme).”[2]

E treta: Meleku i Shpalljes i vinte në formën e një burri, i fliste dhe ai e kuptonte. Në këtë mënyrë, ndonjëherë e shikonin edhe sahabët.[3]

E katërta: Në formën e tingujve të ziles. Pra, zërin e melekut, kur i sillte shpalljen, e dëgjonte si tingujt e ziles. Kjo ishte forma më e rëndë për Pejgamberin (s.a.u.s.). Meleku e zaptonte deri në atë masë sa që i rridhte balli djersë, qofshin edhe ditë tepër të ftohta.[4] Ndonjëherë deveja në të cilën kishte hipur, ulej në tokë e s`ngrihej dot.[5] Njëherë, kur Shpallja i erdhi në këtë mënyrë, ai e kishte mbështetur këmbën e tij mbi këmbën e Zejd Ibn Thabitit. Zejdit iu rëndua këmba, derisa për pak sa s’iu shtyp.[6]

E pesta: Duke e parë Melekun në formën e tij të vërtetë, i cili, në këtë gjendje, i shpallte atë që dëshironte Allahu. Kjo ka ndodhur dy herë, sikurse thuhet në ajetet 7-13 të sures Nexhm.[7]

E gjashta: Shpallja sipër qiejve, që ndodhi natën e Miraxhit, kur Allahu ndër të tjera i shpalli edhe obligimin e faljes së pesë namazeve.

E shtata: Duke i folur Allahu drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin e engjëllit, sikurse ndodhi me Musain, të birin e Imranit. Kjo lloj mënyre është e vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme për Musain me argument të qartë nga Kurani. Kurse për Profetin tonë, atë e vërteton hadithi i Israsë.

Disa kanë shtuar edhe një mënyrë të tetë: Duke i folur Allahu drejtpërdrejt, pa perde. Këtë e thonë ata që mendojnë se Profeti e ka parë Zotin e Madhëruar. Kjo është një çështje e diskutueshme mes dijetarëve të hershëm dhe të mëvonshëm, edhe pse shumica e sahabëve, për të mos thënë të gjithë, janë me mendimin e Aishes.[8] Othman Ibn Seid el Darimi vërteton unaminitetin e sahabëve për këtë çështje.

[1] “…si agimi i mëngjesit” – Domethënë ëndrra i dilte e saktë, ashtu siç e shikonte.

[2] Hadith i saktë, duke u përforcuar nga transmetime të tjera, si tek Hakimi 2/4, Ibn Maxha 2144, Ibn Hibani 1084, Ebu Nuajmi 3/156 dhe Bezzari 4/71.

[3] Ky është hadith i Omerit, në “‘Sahih’” të Muslimit. Ndër të tjera, thuhet Profeti e pyeti: “O Omer, a di se kush ishte pyetësi?” I thashë (tregon Omeri): “Allahu dhe i Dërguari i Tij e di.” Ai tha: “Ai është Xhibrili, i cili erdhi t`ju mësojë fenë tuaj.” Ndërsa te Nesaiu, me sened të saktë prej Ibn Omerit, thuhet se Xhibrili i vinte Profetit në pamjen e Dihjeh el Kelbit.

[4] Ahmedi 6/185, Maliku 1/202, Buhariu 1/20, Muslimi 2333, Nesaiu 2/146, Tirmidhiu 3638, prej Aishes (r.a.), e cila rrëfen: “Harith Ibn Hishami e pyeti të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut, si të vjen Shpallja?” Ai tha: “Ndonjëherë më vjen si tingëllimat e zileve; kjo është më e vështira për mua. Kur largohet meleku prej trupit tim, unë e kam mbajtur mend dhe kuptuar gjithçka që ka thënë. Ndonjëherë merr pamjen e një burri, më flet dhe unë e mbaj mend gjithçka që thotë.”.” Aisheja thotë: “E kam parë ndërsa i zbriste Shpallja në ditë të ftohtë; aq e mundimshme ishte për të, sa që kur ndahej meleku prej tij, balli i rridhte djersë.”

[5] Ahmedi sjell rrëfimin e Aishes (r.a.) se Profeti, kur i vinte Shpallja mbi deve, ajo ulej, vendoste qafën në tokë dhe nuk mund të lëvizte. Kjo dëshmi është vlerësuar e saktë edhe nga Hakimi. Ahmedi e sjell edhe prej Esma Bintu Jezidit dhe prej Abdullah Ibn Amrit.

[6] Buhariu e sjell prej Zejd Ibn Thabitit, rrëfimin kur Pejgamberi i diktoi të shkruante ajetin Kur`anor: “Nuk barazohen ata që qëndrojnë (në shtëpi) dhe ata që luftojnë në rrugë të Allahut prej besimtarëve.” Zejdi rrëfen: “Ibn Ummi Mektumi (i verbër) mbërriti tek i Dërguari i Allahut, ndërkohë që po ma diktonte, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, nëse do të kisha mundësi, do të kisha luftuar me ty.” Atëherë Profetit (s.a.u.s.) nisi t’i vinte Shpallja, ndërkohë që këmba e tij ishte mbi këmbën time. Aq shumë mu rëndua këmba, sa që pata frikë se do të më dërrmohej, por pastaj mbaroi zbritja e shpalljes dhe u lirua nga ajo gjendje. Allahu zbriti: “…përveç të pamundurve.”.”

[7] Muslim në “‘Sahih’”, me nr.177, prej Aishes, se Profeti (s.a.u.s.). ka thënë: “E kam parë Xhibrilin në pamjen në të cilën është krijuar veçse dy herë. E kam parë duke zbritur nga qiellin, me madhësinë e tij kishte bllokuar distancën mes qiellit dhe tokës.” Imam Ahmedi ka qartësuar me rrëfimin e Ibn Mesudit se hera e parë ishte kur Profeti i kërkoi ta shikonte atë siç ishte krijuar, kurse e dyta ishte gjatë Miraxhit. Imam Tirmidhiu, me nr. 3274, sjell rrëfimin e Aishes se: “Muhamedi e ka parë Xhibrilin në formën e tij origjinale veçse dy herë: tek Sidretu Munteha (pemë lart në qiell) dhe në Exhjad (një vend në pjesën e poshtme të Mekës).

[8] Mendimi i Aishes ishte që Profeti (s.a.u.s) nuk e ka parë Allahun.


Bëni një koment