7 raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë


E diel, 15 Qershor 2025

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24 orëshit të fundit në Kosovë.

Sipas raportit policor, dy nga këto raste kanë ndodhur në Fushë-Kosovë, një rast në Prishtinë, një në Obiliq, një në Podujevë, një rast në Klinë, ndërsa një në Graqanicë.

Në Fushë Kosovë një grua ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshortin e saj për siç thuhet motive xhelozie.

“Është arrestuar e dyshuara f/k nën dyshimin se e njëjta ka sulmuar fizikisht për motive xhelozie ish-bashkëshortin e saj m/k me të cilin jetojnë në një banesë. Viktima ka pësuar lëndime. Në konsultim me prokurorin, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Në tjetrin rast të ndodhur në Fushë-Kosovë dyshohet se një grua është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.

“Pas një mosmarrëveshje viktima f/k dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj i dyshuari mashkull m/k. Rasti nën hetime”, bëhet e ditur në raportin e Policisë.

Në Obiliq një person dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht prindërit e tij.

“Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht prindërit e tij . Viktimat dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Në Prishtinë, një shtetas i huaj dyshohet se nën ndikim të alkoolit e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten.

“I dyshuari m/k me shtetsi te huaj dyshohet se nën ndikim të alkoolit e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten, viktimën f/k . Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin policore dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Sipas Policisë, në Podujevë dyshohet se pas një mosmarrëveshje një grua është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.

“Pas një mosmarrëveshje viktima f/k dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj i dyshuari m/k. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin policor.

Në Graçanicë një burrë thuhet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe i njëjti më pas është liruar në procedurë të rregullt.

“Dyshohet se viktima f/k, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërkaq, në Klinë një i dyshuar është ndaluar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

“I dyshuari m/k dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpinë e bashkëshortit, kurse i dyshuari në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Etiketa: