7 rregullat e këshillës për të mirë dhe ndalimit nga e keqja


E diel, 23 Mars 2014

1- Personi që urdhëron për të mirë duhet ta dijë më parë se ajo për të cilën këshillon, është përcaktuar si e mirë nga Sheriati, dhe se me të vërtetë nuk është vepruar. Po ashtu, edhe kur të ndalojë të keqen, duhet të sigurohet se kjo është përcaktuar si e tillë nga Sheriati, dhe se ka ndodhur realisht.

2- Të mos jetë nga ata që e bëjnë vetë të keqen që e ndalojnë, apo që nuk e zbatojnë të mirën, që e urdhërojnë, siç thotë Allahu i Madhëruar:
“O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e punoni!” (Saf: 2-3);
“A po i urdhëroni (thirmi) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni?” (Bekare: 44).

3- Të jetë njeri me edukatë dhe i duruar, të urdhërojë dhe ndalojë me butësi. Të mos zemërohet nëse i bëjnë ndonjë të keqe. Duhet të durojë dhe të falë, siç thotë edhe Allahu i Madhëruar:
“Urdhëro për punë të mira dhe ndaloi të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, sepse vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” (Lukman: 17).

4- Të keqen që e ndalon, të mos e marrë vesh me përgjime. Nuk lejohet të përgjosh njerëzit në shtëpinë e tyre, të ngresh kapakët e enëve të tjetrit per të parë nëse ka ushqim të ndaluar, apo të ngresh rrobën për të parë se mos është veshur ndonjë gjë e ndaluar nën të.
Allahu na ka urdhëruar të mos i zbulojmë intimitetet e të tjerëve dhe na ka ndaluar t’i përgjojmë apo spiunojmë:
“…dhe mos përgjoni njëri-tjetrin…” (Huxhurat: 12).
Ndërsa i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin me të, ka thënë:
“Mos përgjoni njëri-tjetrin”;107
“Atij që i mbulon të metat e një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë të metat në këtë botë dhe në botën tjetër.”

5- Përpara se të urdhërojë dikë për një punë të mirë, t’ia mësojë atij ketë punë të mirë, se ndoshta tjetri nuk e zbaton, ngaqë nuk e di që është e tillë. Po kështu të veprojë edhe kur ndalon dikë që bën një të keqe, sepse ndoshta personi nuk e di se ajo që bën, është e keqe.

6- Nëse pas urdhërimit dhe ndalimit personi nuk dëgjon, por vazhdon në të vetën, duhet të jepet një këshillë e butë, e shoqëruar me prova nxitëse ose frikësuese nga Kurani dhe Suneti. Nëse përsëri nuk bindet, i duhet folur ashpër dhe rreptë. E nëse edhe fjalët e ashpra nuk bëjnë punë, e keqja duhet ndryshuar me dorë, dhe po qe nevoja, duke kërkuar ndihmë nga shteti ose të tjerët.

7- Nëse nuk mund të ndryshojë të keqen me dorë apo me fjalë, sepse trembet për veten, pasurinë apo nderin e tij, ose nuk kafuqi të durojë pasojat le të mjaftohet me ndryshimin me zemër, siç ka thënë edhe Profeti, paqal dhe bekimi i Allahut qofshin me të:
“Kur të shihni ndonjë të keqe, ndryshojeni atë me dorën tuaj! Nëse nuk mundeni, ndryshojeni me fjalë, e nëse përsëri nuk mundeni. ndryshojeni me zemër, por ky është besimi më i dobët.”

Minhaxh el Muslim
Ebu Beker el Xhezairi

Të fundit