E martë, 17 Dhjetor 2013
Ndërkohë që Holanda kërkon vende të tjera të BE-së për të bllokuar statusin kandidat të Shqipërisë, ministrat e Jashtëm të tetë prej vendeve anëtare të BE-së, kanë përpiluar një letër në mbështetje të Shqipërisë. Ata kërkojnë që vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat në mbledhjen e Këshillit të BE-së, e cila mbahet sot për këtë çështje.
Kështu, letra është firmosur nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë, Irlandës, Italisë dhe Sllovenisë. Letra i është dërguar ministrit të Jashtëm të Lituanisë, Linas Linkevicius-it, i cili drejton presidencën e Këshillit të BE-së.
Po kështu, letra i është dërguar edhe Catherine Ashton-it. 8 kryediplomatët shprehin mbështetjen e tyre të fortë për Shqipërinë dhe kërkojnë që këshilli të votojë pro statusit të vendit kandidat në mbledhjen e ditës së sotme. Letra është përpiluar në bazë edhe të rekomandimeve të Komisionit Europian, i cili është shprehur qartë pro dhënies së statusit.
Ndërkaq, zv/kryeministrja kroate, Vesna Pusnic ka deklaruar se Kroacia e mbështet një përgjigje pozitive për Shqipërinë, pasi ky do të ishte një sinjal i mirë për vijimin e reformave jo vetëm për Tiranën, por edhe për gjithë rajonin. Ajo deklaroi se çështja e zgjerimit të BE, ka një rëndësi të veçantë.
Edhe ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec-i, e konsideron të martën si një ditë vendimtare për Shqipërinë. “Unë jam shumë optimist për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe për vendosjen e datës për hapjen e negociatave për Serbinë”, ka deklaruar kryediplomati.
Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar të hënën pasdite në mënyrë informale draftin që do të bëhet publik të martën për Shqipërinë, por edhe vende të tjera të rajonit./shekulli