E shtunë, 16 Gusht 2014
Disa ditë pas fitores së Superkupës së Gjermanisë, Borussia Dortmund ka prezantuar bilancin financiar të sezonit 2013-2014. Nënkampionët e Gjermanisë kanë arkëtuar 260.735 milionë euro duke arritur një fitim prej 11.970 milionë eurosh Ndërsa kostot për pagat dhe mbulimin e lojtarëve shkuan në 77 milionë euro.
Viti rekord i Borussias ka qenë sezoni 2012-2013 kur arritën një buxhet vjetor prej 305 milionë eurosh dhe një fitim prej 51.2 milionë eurosh.
“Nuk mund të bëjmë krahasim me sezonin 2012-2013. Në atë sezon ka ndikuar shitja e Gëces prej 37 milionë eurosh dhe përfitimet nga pjesëmarrja deri në finale të Champions-it afro 30 milionë euro. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2017 të arrijmë arkëtime rekord mbi 300 milionë euro pa bërë shitje në merkato. Lajm i mirë është gjithashtu se aksionet kanë pësuar 2 % rritje në bursë”, deklaroi gjatë konferencës për shtyp të enjten pasdite bosi i Dortmundit, Hans-Joachim Vatzke, i cili zbardh zyrtarisht edhe qëndrimin e planet për Marco Reus.
Për merkaton e verës dhe Superkupën, drejtuesi verdhezi shton: “Ne nuk jemi Reali apo PSG-ja të bëjmë megatransferime. Politikat tona dihen tashmë, por ajo që do ndryshojë është në lidhje me kontratat. Ne nuk do lejojmë klauzola. Stafi drejtues është i kënaqur me transferimet dhe shenjat i dhanë që në Superkupë”.