Pse truri i disa njerëzve nuk e kapërcen dot pikëllimin?


E enjte, 12 Mars 2026
Pse truri i disa njerëzve nuk e kapërcen dot pikëllimin?

“Koha shëron gjithçka!”, është një frazë që ata që kanë përjetuar së fundmi një humbje të madhe e dëgjojnë shpesh nga miqtë dhe të njohurit. Dhe në fakt, ajo mbart një të vërtetë të thellë: në shumicën e rasteve, pas humbjes së një familjari ne vuajmë e dëshprohemi, por me kalimin e kohës – dikush më shpejt e dikush më vonë – buzëqeshim përsëri.

Megjithatë, ndonjëherë dhimbja nuk kapërcehet dhe shndërrohet në Çrregullim të Zisë së Zgjatur (PGD), një patologji e përfshirë që nga viti 2018 në ICD-11 (sistemi global i klasifikimit të sëmundjeve nga OBSH).

Një përmbledhje e botuar në revistën “Trends in Neurosciences” synoi të përcaktonte nëse është e saktë të klasifikohet PGD si patologji, duke krahasuar aktivitetin e trurit te njerëzit me dhe pa këtë çrregullim.

Studimet e shqyrtuara, zbuluan se truri i atyre që nuk janë në gjendje të përpunojnë pikëllimin funksionon ndryshe dhe se disa rrjete nervore sillen në mënyrë atipike.

Për shembull, bërthama accumbens, një strukturë e përfshirë në shpërblimin dhe motivimin, aktivizohet te njerëzit me PGD kur shohin foto ose fjalë që lidhen me të ndjerin, duke treguar një mall tepër të fortë.

Në mënyrë të ngjashme, amigdala e djathtë dhe hipokampusi, të përfshirë në emocione dhe kujtesë, aktivizohen kur shohin imazhe që lidhen me vdekjen, ndërsa “fiken” kur përballen me stimuj pozitivë (si fotoja e një peizazhi të qetë).

Kjo tregon se mendja e një personi me PGD ka vështirësi në përjetimin e emocioneve pozitive. Truri i një personi me Çrregullim të Zisë së Zgjatur është, pra, i ankoruar te pikëllimi, i paaftë të gjejë gëzim apo shpërblim diku tjetër përveçse te dhimbja.

Edhe pse ky studim nuk ofron ende një kriter të prerë diagnostikues, ai ndihmon në parashikimin e personave që rrezikojnë të zhvillojnë këtë gjendje pas një humbjeje të rëndë. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit