E shtunë, 25 Prill 2026

Stresi mekanik i rrahjeve të zemrës, mund t’i mbajë larg tumoret pasi ky organ i nënshtruar vazhdimisht këtij procesi duket se mbrohet pikërisht nga lëvizja e tij e pandalshme.
Një bashkëpunim i shkencëtarëve italianë i udhëhequr nga Universiteti i Triestes, ka hedhur këtë hipotezë sugjestionuese dhe bindëse për të shpjeguar pse kanceri sulmon kaq rrallë zemrën e gjitarëve ku tek qeniet njerëzore tumoret primare të zemrës shfaqen në vetëm një për qind të të gjitha ekzaminimeve autoptike sipas kërkimit të publikuar në revistën Science.
Rritja e tumoreve që sulmojnë zemrën në mënyrë të drejtpërdrejtë ose që formojnë metastaza në të, është një rrethanë aq e rrallë saqë duhet të ekzistojë diçka në mikromjedisin e saj që e bën këtë ngjarje të vështirë.
Prandaj një grup shkencëtarësh të koordinuar nga Giulio Ciucci dhe Serena Zacchigna transplantuan zemra të paafta për të rrahur, por me enë gjaku dhe të oksigjenuara mirë në qafën e minjve të modifikuar gjenetikisht duke injektuar qeliza tumorale si në zemrën e transplantuar ashtu edhe në atë origjinale.
Pas dy javësh në zemrën rrahëse qelizat kancerogjene ishin shumëfishuar duke zëvendësuar pjesën më të madhe të qelizave të shëndetshme. Ndërsa në zemrën e transplantuar ato kishin zënë vetëm rreth njezët për qind të indit.
Në një eksperiment të dytë, shkencëtarët rritën në laborator një zemër miu të inxhinieruar për të rrahur me komandë dhe panë se qelizat tumorale përhapeshin më shumë në pjesën statike të organit sesa në atë që rrihte.
Ideja është se sforcimet intensive mekanike që pëson zemra për të pompuar gjakun, ndalojnë përhapjen e qelizave tumorale. Dhe ky mekanizëm do të ishte gjithashtu baza e kapacitetit të pakët të zemrës për t’u përtërirë, pasi qelizat e saj rigjenerohen me një ritëm prej rreth një pë qind në vit.
Zbulimi mund të sugjerojë terapi të reja anti-kancer që shfrytëzojnë sforcimin mekanik, pasi proteina Nesprin-2 që identifikon sinjalet mekanike dhe i transmeton në bërthamën e qelizës duket se është vendimtare për të penguar rritjen qelizore në prani të stresit.
Ky studim mund të ketë implikime edhe për fibroza kardiake duke shpjeguar pse indi cikatrizues shpërndahet vetëm në disa pjesë të zemrës dhe jo në të tjerat./tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
