E enjte, 30 Prill 2026

Kruarja është një nga simptomat më të shpeshta që haset në popullatë dhe në rastet kronike mund të ndikojë ndjeshëm në jetën e përditshme, pothuajse sa dhimbja e vazhdueshme.
Sipas specialistëve të dermatologjisë, ajo nuk lidhet vetëm me problemet e lëkurës, por në disa raste mund të jetë shenjë e sëmundjeve më serioze.
Kruarja mund të shoqërojë gjendje si psoriaza, dermatiti atopik apo zgjebja, por gjithashtu mund të lidhet me probleme të mëlçisë dhe veshkave, diabetin, çrregullime nervore apo edhe gjendje psikologjike. Në disa raste shfaqet edhe gjatë shtatzënisë.
Ky fenomen është diskutuar edhe në Kongresin e 99-të të Shoqatës Italiane të Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme në Rimini, ku mjekët kanë vënë në dukje rëndësinë e trajtimit të personalizuar për çdo pacient.
Sipas ekspertëve, në mjekësinë moderne synohet të mos trajtohet vetëm simptoma, por vetë pacienti në mënyrë individuale, duke kuptuar shkakun e saktë të kruarjes.
Në të ardhmen, studiuesit po punojnë për metoda që mund të identifikojnë shkakun e kruarjes përmes analizave të thjeshta të gjakut, me qëllim zgjedhjen e trajtimit më të saktë dhe me më pak efekte anësore.
Gjithashtu, mjekët theksojnë se kruarja nuk ndikon vetëm në lëkurë, por edhe në shëndetin mendor dhe jetën sociale, duke shkaktuar shpesh ankth, probleme me gjumin dhe në disa raste edhe izolim social.
Burimi: mesazhi
