E shtunë, 9 Maj 2026

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj i ka dërguar letër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke shprehur gatishmërinë që Nisma Socialdemokrate të jetë pjesë e listës së përbashkët për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas letrës, të cilën e ka siguruar Tëvë1, Limaj ka theksuar nevojën për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative më të fuqishme opozitare për qytetarët e Kosovës.
Në shkresë, ai thekson se një bashkim i tillë nuk duhet parë vetëm si marrëveshje elektorale, por si vazhdim i një fryme bashkëpunimi mes njerëzve dhe strukturave që, sipas tij, kanë ndarë për vite ideale dhe vizion të përbashkët për vendin.
Limaj po ashtu ka bërë të ditur se Nisma nuk po hyn në këtë proces me kërkesa të veçanta politike apo organizative, por me synimin për koordinim më të madh të spektrit opozitar.
“Bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar PDK-së.
Kreu i Nismës ka shprehur gatishmërinë për kontribut të plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të një procesi të përbashkët, duke lënë të hapur mundësinë për koordinime të mëtejme mes dy partive
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
