E hënë, 18 Maj 2026

E ëma e mësoi aktorin e famshëm spanjoll të mos qepë gojën përballë padrejtësive
Festivali i Filmit në Cannes 2026, nuk po shërben vetëm si një arenë e rëndësishme për kinematografinë botërore, por edhe si një platformë e fuqishme për mesazhe të forta gjeopolitike.
Protagonisti absolut i këtij edicioni, aktori i njohur spanjoll Javier Bardem, ka rrëmbyer vëmendjen maksimale të mediave ndërkombëtare duke mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht të guximshëm dhe të prerë lidhur me krizën humanitare dhe luftën në Rripin e Gazës.
I pranishëm në Croisette për të prezantuar filmin e tij më të ri në garë, “El ser querido” (nën regjinë e Rodrigo Sorogoyen), Bardem ka zgjedhur të mos fshihet pas shkëlqimit të tapetit të kuq, por të shfrytëzojë vëmendjen e mediave për të dënuar ashpër situatën në Lindjen e Mesme.
Aktori spanjoll, i njohur historikisht për angazhimin e tij politik, bëri një thirrje të fortë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe mbrojtjen e popullsisë civile palestineze. Për Bardem, është e pafalshme heshtja e komunitetit ndërkombëtar dhe e botës së artit përballë tragjedisë në Gazë.
Ai theksoi se artistët kanë detyrimin moral të përdorin zërin e tyre për të denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut, pa pasur frikë nga pasojat apo censura e industrisë. Kjo kurajë civile dhe politike e shfaqur në Cannes, siç shpjegoi vetë aktori, e ka zanafillën tek edukimi dhe trashëgimia që i ka lënë e ëma, aktorja dhe aktivistja e ndjerë Pilar Bardem.
“Nëna më ka mësuar të mbaj qëndrim dhe të mbroj atë që është e drejtë, madje edhe kur ke frikë dhe kur të gjithë të thonë të heshtësh”- deklaroi Bardem i emocionuar. Pikërisht ky leksion jete, e udhëheq sot aktorin të jetë një nga zërat më kritikë në Hollivud dhe Europë kundër tmerreve të luftës.
Përveç deklaratave të fuqishme politike, prania e Bardem në festivalin e njohur të filmit ka sjellë edhe një dinamikë unike familjare, pasi këtë vit ai ndodhet në garë të hapur për çmimet kryesore me bashkëshorten e tij, yllin e kinemasë Penélope Cruz.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem këtu me Penélope, por këtë herë jemi rivalë”- u shpreh ai me buzëqeshje, duke zbutur disi atmosferën e rënduar nga tematikat sociale.
Në rrafshin artistik, filmi i tij “El ser querido” po cilësohet si një nga kandidatët kryesorë për “Palmën e Artë”. Kritika e ka vlerësuar maksimalisht performancën e Bardem, veçanërisht në një sekuencë fillestare tejet intensive prej 20 minutash dialogu të pandërprerë që eksploron ndjenjat e fajit dhe distancën familjare.
Megjithatë, ajo që do të mbahet mend gjatë nga ky edicion i Cannes është pikërisht vendosmëria e Javier Bardem për të thyer konformizmin e festivalit, duke dëshmuar se për të, humanizmi dhe mbrojtja e jetëve të pafajshme në Gazë vlejnë shumë më tepër se çdo çmim kinematografik. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale