Aktori Bardem: Mbështetja për Gazën rriti ofertat e punës, pavarësisht thashethemeve për listën e zezë të Hollivudit


E hënë, 18 Maj 2026
Aktori Bardem: Mbështetja për Gazën rriti ofertat e punës, pavarësisht thashethemeve për listën e zezë të Hollivudit

Aktori spanjoll, Javier Bardem ka deklaruar se mbështetja publike për Gazën nuk e ka dëmtuar karrierën e tij dhe përkundrazi i ka sjellë më shumë oferta pune, përfshirë edhe në SHBA, transmeton Anadolu.

“Kam pasur një mori ofertash. Dhe kjo më bëri të mendoj se narrativa po ndryshon, të gjithë po fillojnë ta kuptojnë, falë brezit të ri, se kjo është e papranueshme, kjo nuk mund të justifikohet, nuk ka asnjë arsye për këtë gjenocid”, tha Bardem në një konferencë për media në Festivalin e Filmit në Kanë.

Javën e kaluar, anëtari i jurisë së festivalit në Kanë, Paul Laverty kritikoi atë që e përshkroi si listë të zezë të Hollivudit ndaj aktorëve si Bardem, Susan Sarandon dhe Mark Ruffalo për shkak të mbështetjes së tyre publike për palestinezët në Gaza.

Bardem tha se ka dëgjuar thashetheme për lista të zeza në Hollivud, por se nuk ka prova konkrete. “Besoj se ata që po hartojnë këto të ashtuquajtura lista të zeza do të ekspozohen dhe janë pikërisht ata që do të vuajnë pasojat nga publiku”, tha aktori fitues i Oscarit, duke shtuar se “ky është një ndryshim i madh”.

Aktori u bëri thirrje më shumë anëtarëve të industrisë së filmit që të flasin publikisht për Gazën. “Ata që e kanë atë mundësi dhe nuk e bëjnë, më duken frikacakë. Me heshtjen tuaj ose me mbështetjen tuaj, ju jeni pro-gjenocidit”, tha ai.

Bardem argumentoi se situata në Gaza përfaqëson dështime më të gjera globale. “Ajo që po ndodh në Gaza dhe Palestinë na përfaqëson në nivel njerëzor. Ajo pasqyron hipokrizinë institucionale, politike dhe ekonomike si dhe një nivel çnjerëzor që shihet në shumë konflikte të mëdha në botë”, theksoi ai.

Ai kritikoi presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për atë që e përshkroi si “maskulinitet toksik”, një nga temat e filmit që ai prezantoi në Kanë, “The Beloved”.

“Është sjellja toksike mashkullore ajo që po krijon mijëra njerëz të vdekur, kështu që po, duhet të flasim për këtë”, shtoi ai. Bardem është në garë për t’u bërë një nga pak aktorët që kanë fituar dy herë çmimin për aktorin më të mirë në Kanë.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit