Kush po e pengon Trumpin të firmosë?


E premte, 29 Maj 2026
Kush po e pengon Trumpin të firmosë?

Marrëveshja me Iranin është gati, por shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkon disa ditë kohë

Pas disa javësh tensionesh dhe negociatash intensive, Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se janë shumë pranë një marrëveshjeje që mund t’i japë fund krizës së fundit në Gjirin Persik.

Sipas agjencisë italia të lajmeve ANSA, drafti i marrëveshjes është finalizuar dhe i është paraqitur udhëheqjes iraniane, e cila ka dhënë sinjale pozitive për firmosjen e saj. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë ende miratimin përfundimtar.

Burime diplomatike të cituara nga Axios, bëjnë me dije se marrëveshja është arritur që të martën, por Trump ka kërkuar “edhe disa ditë” për të reflektuar përpara vendimit final.

Në Teheran ekziston shqetësimi se presidenti amerikan mund të ndryshojë qëndrim në momentin e fundit, për shkak të stilit të tij të paparashikueshëm në politikën e jashtme.

Për të çuar përpara procesin diplomatik, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, pritet të zhvillojë takime në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Megjithatë, situata në terren mbetet shumë e tensionuar.

Natën mes së mërkurës dhe së enjtes, forcat amerikane rrëzuan dronë iranianë në Ngushticën e Hormuzit dhe goditën një objektiv ushtarak në Bandar Abbas, në jug të Iranit. Si kundërpërgjigje, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte sulmuar një bazë amerikane në rajon, që besohet të jetë në Kuvajt. CENTCOM e cilësoi incidentin si “një shkelje serioze të armëpushimit”.

Drafti i marrëveshjes parashikon një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, periudhë gjatë së cilës do të nisin negociatat për programin bërthamor iranian. Një nga pikat më delikate mbetet uraniumi i pasuruar, të cilin Uashingtoni kërkon ta vendosë nën kontroll amerikan për shkatërrim.

Nga ana tjetër, Irani angazhohet të mos zhvillojë armë bërthamore dhe të pranojë mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Një pjesë kyçe e marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, rruga më e rëndësishme detare për eksportet globale të naftës. Teherani do të duhet të pastrojë zonën nga minat brenda 30 ditësh, ndërsa SHBA do të lehtësojë gradualisht bllokadën ndaj porteve iraniane.

Në lojë mbeten edhe 24 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira dhe mundësia e heqjes graduale të sanksioneve amerikane ndaj Teheranit. Ndërkohë, Izraeli po ndjek një linjë më agresive.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka zgjeruar ofensivën kundër Hezbollahut në Liban, duke rifilluar bombardimet në periferinë jugore të Bejrutit. Sulmet kanë shkaktuar viktima civile, ndërsa tensionet po rriten edhe në Gaza, ku Netanyahu deklaroi se Izraeli synon të zgjerojë kontrollin territorial në enklavën palestineze.

Në këtë klimë të brishtë, vendimi i Trump mund të përcaktojë jo vetëm fatin e marrëveshjes me Iranin, por edhe stabilitetin e gjithë rajonit. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit