SHBA-ja po krijon një qendër karantine për Ebola në Kenia


E premte, 29 Maj 2026
SHBA-ja po krijon një qendër karantine për Ebola në Kenia

SHBA-ja po krijon një qendër në Kenia ku amerikanët që janë ekspozuar ndaj Ebolës ose janë infektuar me virusin do të vendosen në karantinë, transmeton Anadolu.

Vendimi për krijimin e qendrës mjekësore në vendin e Afrikës Lindore nënkupton se amerikanët nuk do të dërgohen në SHBA për trajtim, por do të trajtohen në këtë lokacion. Një zyrtar tha se vendimi nuk ishte politik.

“Sigurisht që nuk jam në dijeni për ndonjë faktor politik. E di se kemi marrë vendimin për të transportuar këta individë me kohën më të shkurtër të mundshme të transitit, sepse koha mund të jetë vendimtare kur bëhet fjalë për Ebolën,” u tha zyrtari gazetarëve.

“Ne menduam se ishte më mirë t’i transportonim këta individë në institucione më të afërta, institucione të kujdesit terciar me cilësi jashtëzakonisht të lartë, në vend që të përballeshim me një kohë shumë të gjatë transporti drejt SHBA-së. Këto vendime u morën për t’u siguruar që të ofrojmë kujdesin më të mirë të mundshëm dhe të optimizojmë atë që mund të bëhet për qytetarët tanë amerikanë jashtë vendit”, shtoi ai.

Qendra e karantinës me kapacitet prej 50 shtretërish pritet të bëhet funksionale të premten. Një tjetër zyrtar tha se njësi të biokontrollit dhe izolimit do të sillen më pas “në mënyrë që, nëse është e nevojshme, nëse kemi individë që shfaqin simptoma ose rezultojnë pozitivë, të jemi në gjendje të kujdesemi për ta derisa të transportohen më tej”.

Zyrtari tha se një grup prej rreth 30 anëtarësh të Trupës së Komisionuar të Shërbimit Publik Shëndetësor të SHBA-së është rrugës për në Kenia për të operuar qendrën, pasi morën trajnim që filloi të hënën.

Trajnimet do të vazhdojnë në vend, ndërsa një grup tjetër do të dërgohet pas trajnimit që do të zhvillohet këtë fundjavë.

Zyrtari tha se “një numër” oficerësh që morën pjesë në përgjigjen amerikane ndaj shpërthimit të Ebolës në vitet 2014-2015, shpërthimi më i madh në histori, janë pjesë e grupit të parë që po shkon tani në Kenia.

Nëse një pacient shfaq simptoma që përputhen me Ebolën, ai do të transferohet në atë që zyrtarët e quajtën një “qendër terciare”, për të cilën Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Departamenti i Shtetit po punojnë për të caktuar një lokacion.

“Ne e dimë se këto do të jenë qendra të nivelit të lartë për të ofruar kujdes të shkëlqyer për qytetarët tanë. Oficerët në terren, shërbimi publik shëndetësor dhe profesionistët mjekësorë në terren në Kenia do të vendosin kur duhet të nisë transporti”, tha zyrtari.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit