Rama: Himara është shqiptare, s’duam leksione


E premte, 5 Dhjetor 2014

Tiranë – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë interpelancës në Kuvend me kreun e Partisë për të Drejtat e Njeriut ka thënë se Shqipëria mund t’u japë leksione vendeve fqinje për minoritetet.

Teksa i është përgjigjur pakënaqësive të Vangjel Dules rreth gjendjes së minoriteteve në vendin tonë, Rama tha se sa i përket minoriteteve qeveria shqiptare ka bërë shumë punë, sidomos duke futur tekstet në gjuhën greke nëpër shkollat e minoriteteve në vend.

Kryeministri tha se ka një vullnet të plotë për të përsosur legjislacionin, megjithëse edhe për këtë ka vetëm pak punë.

“Shkollat e minoriteteve janë pajisur me tekste shkollore në gjuhen greke, kemi krijuar kushte që asnjë nga fëmijët e minoriteteve të mos ndjehet i diskriminuar. Futja e greqishtes si gjuhë e huaj në provimet e maturës është një shprehje e këtij vullneti”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se “është koha të rishohim historinë në raport me njeri-tjetrin, duke shpresuar që edhe pala tjetër greke ta bëjë të njëjtën gjë ashtu si ne”.

“Duke e mbyllur do doja t’i mëshoja një pike nisur nga ajo çfarë është thënë në ditët drejt kësaj interpelance; çështjen e Himarës ta lemë jashtë sepse nuk ka lidhje me minoritetet. Himara është tërësisht si Kukësi dhe Tropoja…Sa të jetë Partia Socialiste në këtë vend Himara nuk do të jetë kurrë një çështje për diskutim. Himara nuk është minoritet dhe nuk duhet të trajtohet si një zonë që sipas Dules qenka e prekur. Me Himarën është abuzuar gjithnjë…Bashkë ndajmë edhe një bindje që në Shqipëri nacionalizmi është gjëja e fundit që do dëshironim të ndodhte, por nga ana tjetër duhet të jemi dakord që s’duhet të japin asnjëherë shkak që të mos e ushqejmë atë”, tha Rama.

Duke folur për mënyrën se si i trajton Shqipëria minoritet dhe komunitetet fetare brenda territorit të saj, Rama tha se Shqipëria është shembull i respektimit të minoriteteve dhe sipas tij vendet e rajonit duhet të marrin shembull prej saj.

“Jemi shumë rehat kur flasim me fqinjët tanë në këtë pikë, për shkak edhe të historisë. Askush nuk mund të na japë leksion për këtë gjë, madje ne mund t’i japim leksion atyre nëse duhet. Mund të qëndrojmë përballë tyre pa problem dhe askush nuk mund të na japë leksion…Këtë e vërteton edhe fakti që vetë Partia për të Drejtat e Njeriut, që është një vlerë e shtuar, është pjesë e koalicionit tonë.”, tha kryeministri Rama, duke shtuar se në të ardhmen do të bëhet akoma më shumë për minoritetet.

Dule: U thye ligji me 5 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të RTSH

Sipas Dules, me emrat e rinj të sapozgjedhur të Këshillit të RTSH, janë shkelur të drejtat elementare të pjesëtarëve të minoriteteve, pasi sipas tij nuk mund të kuotohet një Këshilli Kombëtar i RTSH-së ku nuk përfaqësohen minoritetet.

“Sapo miratuam anëtarët e Këshillit Kombëtar të RTSH-së që i përkasin maxhorancës. Sapo shkelëm të drejta elementare të pjesëtarëve të minoriteteve nacionale. Nuk mund të kuotohet një Këshill Kombëtar i RTSH në të cilin nuk përfaqësohet komuniteti i minoriteteve nacionale në një vend”, tha u shpreh Dule.

Ai shtoi më tej edhe problemet me programet e medieve kombëtare, të cilat sipas kreut të PPDNJ-së nuk kanë asnjë program në gjuhën greke për minoritetin grek, asnjë emision kushtuar atyre.

Rama: Dulja kërkon qiqra në hell

Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar kërkesën e Dules, “si të kërkosh qiqra në hell”. Kjo pasi kryeministri i ka kujtuar kreut të PBDNJ, që legjislacioni i ndryshuar e ka hequr pikën në të cilën saktësohej se në Këshillin Drejtues të RTSH do të duhet të ketë edhe një përfaqësi të minoriteteve.

Kryeministri theksoi më tej se ky ndryshim ka bërë që përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të RTSH-së të jetë tërësisht i hapur dhe i pavarur.

“Besoj që duke qenë ndjekës i vëmendshëm i ecurisë së legjislacionit lidhur me minoritetet Vangjelit si takonte të bënte gabimin qe bëri se është ndryshimi në legjislacion që më parë ka qenë dhe më pas është hequr, prania e një përfaqësuesi të minoritetit që e kanë bërë edhe çështjen e përzgjedhjes së këshillit, tërësisht të hapur dhe të pavarur nga vullneti ynë që nganjëherë duhet ti nënshtrohet kandidaturave që mbase s’do t’i kishim zgjedhur me dorë në tërësi, por që janë të ardhur nga shprehja e interesit për të qenë anëtarë të këtij këshilli. Është si të kërkosh një qiqër me një lloj helli që nuk ekziston”, u shpreh Rama.

Kreu i maxhorancës ironizoi duke thënë se në asnjë prej televizioneve italiane publike ose jo publike nuk ka dëgjuar të kenë ndonjë emision për minoritetet zvicerane apo austriake, apo qoftë edhe në gjuhën e tyre.

Censusi, Dule: Uli numrin e grekëve

Rama: Kishte probleme, por ndryshe nga fqinjët e realizuam

Një tjetër çështje që u debatua mes Dules dhe Ramës ishte regjistrimi i popullsisë në vitin 2011. Sipas kreut të partisë minoritare, censusi nuk ishte i rregullt në tërësinë e tij, duke mos pasqyruar sipas tij numrin real të grekëve në Shqipëri.

Kryeministri tha se pajtohet plotësisht se censusi kishte probleme për shkak të kushteve në të cilat u zhvillua dhe si u realizua, por megjithatë sipas tij Shqipëria sërish duhet quajtur një vend kampion sepse e realizoi ndryshe nga vendet fqinje që qëllimisht nuk e zhvillojnë atë.

“Ka një prirje historike të lexueshme për ta ulur numrin tonë si shqiptarë”, tha Rama.

Koment i redaksisë: Maqedonia e anuloi regjistrimin e popullsisë rreth dy vite më parë, ndërsa Greqia e zhvilloi atë në vitin 2011, sipas të cilit atje jetonin 480 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa popullsia etnike shqiptare nuk ka dalë asgjëkund në shifrat e regjistrimit, kjo për shkak të mosdeklarimeve të shqiptarëve nga presionet që u bëhen.

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit