E martë, 2 Qershor 2026

Zgjerimi është qëllimi ynë i përbashkët dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut qëndron fort brenda Bashkimit Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa në Shkup, raporton Anadolu.
Costa u prit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut nga kryeministri Hristijan Mickoski, me të cilin zhvilluan takim k kokë më kokë dhe midis delegacioneve. Pas takimit, Costa dhe Mickoski mbajtën konferencë të përbashkët për media, duke u fokusuar në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Në fjalën e tij, kryeministri Mickoski tha se vendi mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe kërkon një proces të drejtë dhe të parashikueshëm, duke theksuar: “Pozicioni ynë është i qartë, mbetemi të përcaktuar fort për rrugën evropiane”.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut nuk kërkon privilegje, por një proces të bazuar në parime dhe vlerësim të reformave.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shprehu bindjen që, siç tha, dinjiteti, identiteti dhe parimet nuk duhet të jenë pengesë për perspektivën evropiane.
Ai gjithashtu theksoi se vendi po punon për reforma në administratë, ekonomi dhe institucione, por paralajmëroi për pasigurinë që qytetarët ndiejnë pas viteve të gjata pritjeje dhe ndryshimeve politike në procesin e integrimit.
– Costa: Ndryshimet kushtetuese, hap i domosdoshëm për hapjen formale të negociatave
Costa, nga ana tjetër, theksoi se zgjerimi i BE-së është një objektiv i përbashkët dhe se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. “Zgjerimi është qëllimi ynë i përbashkët dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut qëndron fort brenda Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ai vlerësoi progresin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe administratën publike, duke shtuar se këto janë kyç për përfitimin nga Plani i Rritjes së BE-së dhe për avancimin e negociatave të anëtarësimit.
Costa theksoi gjithashtu se respektimi i politikës së përbashkët të jashtme të BE-së nga Maqedonia e Veriut është një sinjal i rëndësishëm strategjik, duke e cilësuar BE-në si partnerin më të besueshëm të rajonit.
Në lidhje me procesin e anëtarësimit, Costa tha se ndryshimet kushtetuese të dakorduara mbeten hapi i domosdoshëm për hapjen formale të negociatave: “Është e vetmja mënyrë për të zhbllokuar përfitimet e plota të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për popullin e Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Kreu i Këshillit Evropian shtoi se përparimi në integrim varet nga dialogu konstruktiv me fqinjët dhe zbatimi i reformave të nevojshme.
Costa gjithashtu theksoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut politikisht dhe financiarisht, por se “fuqia për të formësuar të ardhmen është në duart tuaja”, duke i bërë thirrje për hapa pragmatikë dhe ndërtim besimi në rajon.
“Ne duam t’i hapim zyrtarisht negociatat me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Costa.
Ai tha se Këshilli Evropian në vitin 2022 vendosi tashmë kornizën për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe nuk kërkohet “asgjë më pak dhe asgjë më shumë”.
Costa po zhvillon një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të përfundojë me pjesëmarrjen në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale