E martë, 2 Qershor 2026

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova nga Bratislava tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por pret të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të vlerësohet sipas kritereve të Kopenhagenit, dhe jo përmes mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të identitetit, transmeton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin sllovak Peter Pellegrini, Siljanovska-Davkova theksoi se të dy vendet janë të lidhura nga lidhje të forta historike, kulturore dhe shpirtërore dhe shprehu besim se vizita do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Foto : Presidenca e RMV-së/AA
Ajo theksoi se Maqedonia dhe Sllovakia kanë potencial për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, inovacionit, tranzicionit të gjelbër, infrastrukturës dhe turizmit, duke kujtuar forumet e fundit të biznesit dhe hapjen e linjës ajrore Ohër-Bratislavë.
Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, Siljanovska-Davkova vlerësoi se Maqedonia (e Veriut) për një kohë shumë të gjatë përballet me pengesa që nuk janë në përputhje me parimet evropiane.
“Evropa është shtëpia jonë natyrale – gjeografikisht, historikisht dhe në aspektin kulturor. Ajo që kërkojmë është të trajtohemi si të gjithë të tjerët, të vlerësohemi sipas kritereve të Kopenhagenit dhe të na jepet mundësia të përqendrohemi në reforma dhe sundimin e ligjit, në vend të çështjeve dypalëshe”, tha presidentja e Maqedonisë së Veriut.
Siljanovska-Davkova shtoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje sigurie dhe strategjike, veçanërisht përballë sfidave gjeopolitike globale dhe konflikteve të armatosura në rritje.
Presidenti i Sllovakisë, Pellegrini tha se vendi i tij mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Sllovakia mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe e bën këtë si një mike, partnere dhe aleate. Por, në të njëjtën kohë, ne e deklarojmë qartë se procesi i zgjerimit duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në të njëjtat rregulla që vlejnë për të gjithë kandidatët”, tha presidenti sllovak Peter Pellegrini në konferencën për mediat pas takimit me presidenten maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Sllovaki.
Sipas tij, si Maqedonia e Veriut ashtu edhe rajoni në të cilin ajo bën pjesë janë shumë të rëndësishme për të gjithë Evropën dhe se ajo duhet të zgjerohet, mbi të gjitha, në aspektin e stabilitetit. Ballkani Perëndimor, theksoi ai, nuk duhet të mbetet një hapësirë për konkurrencë dhe lojëra gjeopolitike.
“Qëndrimi i Sllovakisë është i qartë: një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, i begatë dhe i orientuar drejt Evropës, sepse kjo është në interesin strategjik të të gjithë Evropës”, tha presidenti i Sllovakisë.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale