Juventusi nis revolucionin në sulm, në shënjestër Alexander Sørloth


E enjte, 4 Qershor 2026
Juventusi nis revolucionin në sulm, në shënjestër Alexander Sørloth

Juventusi ka filluar lëvizjet konkrete për të rindërtuar repartin ofensiv në prag të sezonit të ri, duke synuar përforcime të rëndësishme në fazën sulmuese.

Sipas raportimeve nga Italia, bardhezinjtë kanë hapur negociatat me sulmuesin e Atletico Madridit, Alexander Sørloth, për të diskutuar kushtet personale të një transferimi të mundshëm.

Sulmuesi norvegjez, 30 vjeç, ka zhvilluar një sezon mjaft pozitiv me klubin madrilen, duke realizuar 20 gola në 54 ndeshje në të gjitha garat. Ai iu bashkua Atletico Madridit nga Villarreal në verën e vitit 2024 dhe mbetet një nga emrat më të vlerësuar në tregun evropian të transferimeve.

Paralelisht, Juventusi po shqyrton edhe largime të mundshme në repartin ofensiv. Klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta për Loïs Openda, i cili nuk ka arritur të justifikojë pritshmëritë gjatë aventurës së tij në Torino dhe mund të largohet pas vetëm një sezoni.

Interes për sulmuesin belg kanë shfaqur disa skuadra evropiane, ndërsa Nottingham Forest përmendet si një nga destinacionet më serioze të mundshme.

Drejtuesit e Juventusit synojnë një riformatim të plotë të sulmit, pasi edhe e ardhmja e disa lojtarëve të tjerë mbetet ende e paqartë. Në këtë kuadër, Sørloth shihet si një nga objektivat kryesorë për të udhëhequr repartin ofensiv në sezonin e ardhshëm./04 Online


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit