Reali kthehet te e kaluara, e emëron Mourinhon trajner të ri


E premte, 12 Qershor 2026
Reali kthehet te e kaluara, e emëron Mourinhon trajner të ri

Pak ditë më parë, Florentino Pérez u rizgjodh president i ri i Real Madridit dhe numri një i ri (dhe i vjetër) i klubit më prestigjioz të Spanjës e bëri edhe lëvizjen e tij të parë, me një njoftim që pritej prej ditësh.

Në fakt, José Mourinho rikthehet në stolin e Real Madridit, 13 vjet pas përfundimit të eksperiencës së tij të parë, e cila zgjati nga viti 2010 deri në vitin 2013, përcjell “Gazeta Express”.

Ishte një periudhë shumë intensive, veçanërisht për shkak të përshkallëzimit të rivalitetit dhe tensioneve me Barcelonën, e mbyllur me fitimin e vetëm një titulli kampion në La Liga dhe, mbi të gjitha, pa triumfin në Ligën e Kampionëve – pothuajse një blasfemi për “Los Blancos”.

Mourinho e ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2029, një angazhim trevjeçar me objektivin për ta rikthyer Realin në majat e futbollit evropian.

Portugezi do ta nisë zyrtarisht punën më 13 korrik, në fillim të fazës përgatitore për sezonin e ri.

Gjithashtu, janë përcaktuar tashmë edhe lëvizjet e para në treg: në orët e ardhshme pritet të zyrtarizohen transferimet e Ibrahima Konatés dhe Denzel Dumfries.

Mbrojtësi francez, nënkampion bote me Francën në vitin 2022, do të mbërrijë si lojtar i lirë nga Liverpooli.

Ndërkohë, anësori holandez do të transferohet nga Interi kundrejt pagesës së 20 milionë eurove, aq sa e parashikon klauzola e lirimit në kontratën e tij.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit