Cristiano Ronaldo ishte një hap larg Milanit, ish-drejtori sportiv zbulon prapaskenat e transferimit të bujshëm


E premte, 26 Qershor 2026
Cristiano Ronaldo ishte një hap larg Milanit, ish-drejtori sportiv zbulon prapaskenat e transferimit të bujshëm

Cristiano Ronaldo ishte shumë pranë transferimit te Milani në verën e vitit 2018, por marrëveshja spektakolare dështoi në momentet e fundit për shkak të tërheqjes së pronarëve të atëhershëm të klubit.

Këtë e ka zbuluar ish-drejtori sportiv i Milanit, Massimiliano Mirabelli, në një intervistë për gazetarin Carlo Pellegatti në YouTube, duke rrëfyer se kuqezinjtë kishin arritur marrëveshje si me sulmuesin portugez, ashtu edhe me Real Madridin, shkruan 04 Online.

Sipas Mirabellit, projekti i pronarëve kinezë parashihte afrimin e një superylli që do ta rikthente Milanin në qendër të futbollit evropian.

“Pronarët kinezë na kërkuan ta bënim një goditje të madhe në merkato. E kontaktuam Cristiano Ronaldon dhe arritëm marrëveshje për ta sjellë te Milani”, deklaroi Mirabelli.

Ai shtoi se kontaktet u intensifikuan pas finales së Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe Real Madridit në Cardiff, përmes menaxherit Jorge Mendes.

“Kur folëm me Ronaldon, së bashku me Fassonen dhe Gattuson, ai na tha: ‘Do të vij te Milani. Nuk e kam fituar kurrë Ligën e Evropës dhe dua ta fitoj’. Ai ishte shumë i motivuar dhe fakti që Milani nuk luante në Ligën e Kampionëve nuk ishte problem për të”, zbuloi ish-drejtori sportiv.

Mirabelli bëri të ditur se marrëveshja me Real Madridin ishte praktikisht e mbyllur, ndërsa klubi spanjoll kërkonte rreth 100 milionë euro për kartonin e portugezit. Pengesa kryesore mbeti paga e lartë e Ronaldos, por sipas tij, edhe kjo ishte drejt zgjidhjes.

“Gjithçka ishte gati, por në fund pronarët kinezë u tërhoqën dhe transferimi dështoi”, përfundoi Mirabelli.

Pas dështimit të negociatave me Milanin, Cristiano Ronaldo u transferua te Juventusi, ku kaloi tri sezone të suksesshme, duke fituar dy tituj të Serie A dhe duke lënë gjurmë në futbollin italian. Nëse marrëveshja me kuqezinjtë do të ishte realizuar, ajo do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Milanit dhe të futbollit italian./04 Online/


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit