E diel, 5 Korrik 2026

Manchester United mund të përfshihet në një nga lëvizjet më të mëdha të kësaj vere, pasi raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i hapur për të shqyrtuar ofertat për mesfushorin uruguaian Federico Valverde.
Që prej rikthimit në krye të “Los Blancos”, Mourinho ka nisur një proces të thellë rindërtimi të skuadrës, duke sjellë emra të njohur si Marc Cucurella, Bernardo Silva, Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries.
Megjithatë, ndryshimet në “Santiago Bernabeu” nuk pritet të përfundojnë me afrimet e reja. Sipas mediave spanjolle, Valverde nuk konsiderohet më i paprekshëm, edhe pse kontrata e tij me klubin madrilen është e vlefshme deri në vitin 2029.
Raportohet se Mourinho dëshiron një profil tjetër në mesfushë dhe shitja e 27-vjeçarit mund t’i sigurojë Real Madridit fonde të rëndësishme për përforcime të tjera.
Nga ana tjetër, Manchester United vazhdon kërkimet për një mesfushor cilësor. “Djajtë e Kuq” kanë siguruar tashmë transferimin e Edersonit nga Atalanta, ndërsa më parë ishin lidhur edhe me Elliot Andersonin, Mateus Fernandesin dhe Sandro Tonalin, por pa arritur marrëveshje.
Në këtë histori përfshihet edhe emri i Kobbie Mainoo. Sipas mediumit spanjoll Fichajes, Real Madridi vazhdon ta ndjekë nga afër talentin anglez, pavarësisht se ai së fundmi rinovoi kontratën me Manchester United deri në vitin 2031.
Për këtë arsye, në Spanjë kanë nisur spekulimet për një shkëmbim të mundshëm mes dy klubeve, ku Federico Valverde do të transferohej në “Old Trafford”, ndërsa Kobbie Mainoo do të kalonte te Real Madridi.
Burimi: 04online
