E enjte, 16 Korrik 2026

Një operacion i koordinuar ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rezultuar me arrestimin e një personi në rajonin e Prizrenit, i cili dyshohet se ka siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna të kartelave bankare dhe informacione personale të qytetarëve amerikanë, të cilat më pas i ka shpërndarë në platforma online për qëllime keqpërdorimi.
Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me urdhër të Gjykatës, ndërsa hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet amerikane.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari kishte vepruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.
“Personi i dyshuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka arritur të sigurojë në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare, si dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve nga SHBA-ja. Më pas, këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi duke i vendosur në platforma të caktuara online”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.
Gjatë operacionit, i dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Policia njoftoi se gjatë kontrollit në lokacionin e bastisur janë sekuestruar prova materiale që pritet të shërbejnë në procedurat e mëtejshme hetimore.
“Rasti është në proces të mëtejmë hetimor. Gjithashtu, veprimet e ardhshme do të ndërmerren në bashkërendim me autoritetet e SHBA-së”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetin e të arrestuarit, ndërsa hetimet për këtë rast të dyshuar të krimit kibernetik janë ende në zhvillim.
Ky operacion konsiderohet një tjetër shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik, një fenomen që vitet e fundit ka shënuar rritje dhe ka shkaktuar dëme të mëdha financiare për viktimat në mbarë botën.
Burimi: klankosova
