E premte, 19 Korrik 2013
Policia kufitare e Kosovës ka ndaluar sot rreth mesditës, në pikën kufitare Jarinjë, 11 studentë nga Rusia, duke pamundësuar kështu hyrjen e tyre në territorin e Kosovës, për shkak të mungesës së vizave në pasaportat e tyre.
Bëhet e ditur se pas bisedimeve që kanë zgjatur rreth një orë e gjysmë, në mes të autoriteteve kufitare të Kosovës dhe përfaqësuesve serbë, studentët janë lejuar të hynë në Kosovë.
Burime të Kosovapressit kanë bërë të ditur se pas bisedës telefonike mes drejtorit të së ashtuquajturës “Shoqata e miqësisë serbo ruse” në Mitrovicë, Vladimir Rakic, por edhe të disa krerëve ilegalë të veriut, me të përfolurin për drejtor të policisë së Kosovës për katër komunat veriore, Nenad Djuric, studentët kanë hyrë në territorin e Kosovës pa viza.
Në anën tjetër, i kontaktuar nga Kosovapress, përmes telefonit, Djuric – sapo ka kuptuar qëllimin e telefonatës – e ka mbyllur telefonin dhe nuk e ka hapur më. /Telegrafi/
Etiketa: Kosovë, Rusët