Skandal: Vuçiq, Vulin dhe Dodik festojnë me këngë nacionaliste derisa në Kosovë vazhdojnë gërmimet për varreza masive


E hënë, 3 Gusht 2026
Skandal: Vuçiq, Vulin dhe Dodik festojnë me këngë nacionaliste derisa në Kosovë vazhdojnë gërmimet për varreza masive

Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaq presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku me Aleksandar Vulin, dhe presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, si dhe figura të tjera politike serbe, teksa në ambient dëgjohet një këngë me përmbajtje nacionaliste që lidhet me narrativën e të ashtuquajturës “botë serbe”, një projekt politik që në vazhdimësi ka ngritur shqetësime në rajon për shkak të aspiratave të tij integruese mbi baza etnike.

Në pamjet e shpërndara shihet tavolina ku janë ulur disa prej figurave më të larta politike të Serbisë dhe aleatëve të saj në rajon, ndërsa kënga e interpretuar përmban vargje që flasin për bashkimin e serbëve përtej kufijve ekzistues dhe heqjen e kufijve mes tyre.

Teksti i këngës, i përkthyer në shqip, thotë: “Do t’ia ruajmë shpinën njëri-tjetrit, Mes nesh nuk duhet të ketë kufij, Një popull, një shpirt, dëgjohet e njëjta lutje, Me tre gishtat nis gjithçka për ne…” Prania e Vuçiqit, Vulin dhe Dodikut në një ambient ku interpretohet një këngë e tillë ka rikthyer në vëmendje retorikën nacionaliste që shoqëron konceptin politik të “botës serbe”, një ide e promovuar në vazhdimësi nga figura politike në Beograd dhe përfaqësues serbë në Republikën Serbe ne BeH.

Këto pamje vijnë në një kohë kur autoritetet e Kosovës kanë identifikuar lokacione të dyshuara për varreza masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se lidhen me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gërmimet në këto lokacione kanë vazhduar prej ditësh, ndërsa institucionet e Kosovës dhe ekipet hetimore po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e mbetjeve të gjetura.

Çështja e të pagjeturve dhe krimeve të luftës vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht zhvillimeve në terren, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok, as për procesin e gërmimeve dhe identifikimit të tyre dhe nuk ka adresuar çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit