Kryeprokurori Zejnulla Gashi cakton mbikëqyrës për të gjitha prokuroritë në vend


E mërkurë, 4 Nëntor 2026
Kryeprokurori Zejnulla Gashi cakton mbikëqyrës për të gjitha prokuroritë në vend

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë me qëllim të rritjes së efikasitetit, zbatimit unik të praktikave dhe respektimit të ligjshmërisë në sistemin prokurorial.

Prokurorët e caktuar do të kenë përgjegjësi për mbikëqyrjen e menaxhimit dhe efikasitetit të prokurorive përkatëse, si dhe për mbështetjen dhe këshillimin e tyre në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, ata do të monitorojnë trajtimin e lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, do të identifikojnë sfidat dhe problemet institucionale, si dhe do të mbikëqyrin zbatimin e shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve.

Një tjetër përgjegjësi e tyre do të jetë pjesëmarrja në kolegjiumet e prokurorive ku janë caktuar si mbikëqyrës.

Megjithatë, në njoftim theksohet se kjo mbikëqyrje do të ushtrohet duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimi synon forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm në sistemin prokurorial të Kosovës./


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit