E enjte, 2 Korrik 2015
Kryeministri turk në detyrë, Ahmet Davutollu në fjalën që mbajti në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë në pushtet, AK Parti, tha se Turqia është e gatshme të ndihmojë Greqinë për të dalë nga kriza ekonomike dhe financiar.
Kryeministri TURK, Ahmet Davutoğlu në fjalën që mbajti në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillimit (AK Parti) ka deklaruar se Turqia është e gatshme të ndihmojë Greqinë të dalë nga kriza ekonomike dhe financiare në kohën kur Athina ndodhet gjithnjë e më afër falimentimit.
“Me qëllim kapërcimin e krizës ekonomike në Greqi, ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe që është në dorën e fuqinë tonë në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e turizmit, energjetikës e tregtisë. Pasi të kemi përfunduar aktivitetet rreth formimit të Qeverisë, me rastin e parë ne do të kontaktojmë Greqinë në mënyrë që të zhvillojmë takimin në nivel të lartë për të diskutuar hapat e përbashkët për zgjidhjen e problemeve ekonomike në Greqi”, ka thënë Davutollu.
Gjithashtu kryeministri në detyrë iu referua edhe rrugës evropiane të Turqisë duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian është përgjegjës për progresin jo të mjaftueshëm të Turqisë drejt Brukselit.
“Nëse Turqia sot në kuadër të procesit të integrimeve evropiane nuk është në pozitë të dëshiruar, hapur mund t’ju them se fajtor për këtë nuk është Turqia, por Bashkimi Evropian, i cili nuk ka vizion strategjik”, ka thënë kryeministri turk.
Marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Turqisë janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në vitet e fundit.
Greqia në rast të mosarritjes së asnjë marrëveshjeje me kreditorët ndërkombëtarë ajo mund të falimentojë për shkak të borxhit të pashlyer prej 1.6 miliardë eurosh që i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të cilën arsye Athina është në rrezik edhe të largimit nga Eurozona.
Etiketa: Ahmet Davutoğlu, Turqia