Bruksel, vazhdojnë takimet


E martë, 25 Gusht 2015

20150825161252848620

Në Bruksel po vazhdojnë takimet në kuadër të raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar takimin me atë të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Paralajmërimin për këtë e ka bërë zëdhënësja e Mogherinit në rrjetin social `Twitter`.

Këto takime mbahen para se të nis ai në nivel kryeministrash mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ku pritet që të finalizohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për energjinë, për lirinë e lëvizjes si dhe ajo për telekomunikacionin.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa ka thënë se marrëveshjet që mund të arrihen janë në interes të sovranitetit të vendit dhe të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Ai thotë se në Bruksel nuk kanë shkuar për të bërë fushatë. Përmes një shkrimi në Facebook, kreu i ekzekutivit thekson se është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj që të përfundojnë me sukses marrëveshjet në disa fusha me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Ndërkohë ministrja për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri pati deklaruar pas raundit të bisedimeve në qershor, se palët kishin rënë dakord që barrikada e njohur si “parku i paqes”, do të hiqet më 1 tetor të këtij viti. Ndërsa revitalizimi si projekt i BE-së do të fillojë menjëherë pas heqjes së barrikadës dhe do të zgjasë gjashtë muaj.

Të fundit