E mërkurë, 16 Shtator 2015
Tiranë – Ish-kryeministri Berisha akuzon ministrin e Brendshëm dhe deputetët e zyrtarë të tjerë të maxhorancës për përfshirje në trafikun e drogës. Në një postim në “Facebook”, Berisha shprehet se sipas burimeve të tij të sigurta, trafiku i drogës bëhet me avionë të lehtë nga Vlora, të cilët që nga muaji maj kanë kryer mbi 50 fluturime mbi Adriatik.
“Shqipëria kanabiste jetime!
Burime të sigurta njoftojnë se mikrokaçatorrët (ultralexherët) vetëm nga Vlora kanë bërë që nga muaji maj mbi 50 fluturime transadriatike, pa llogaritur këtu transjonianët!!
Të dashur miq, këtë vit nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në fushat, kodrat, malet, shpatet, luginat, zabelet e vendit u mboll shumë më tepër kanabis se sa misër në Shqipëri. Kryeqytet i kanabisit i Shqipërisë dhe Europës ishte Tepelena e birit të saj kanabist, Sajmir Shullazi. Tre muaj më parë, shërbimet partnere njoftuan se policia shqiptare kishte shkulur rreth 1 milion rrënjë kanabis në vend. Gjatë këtyre muajve janë konstatuar të mbjella miliona e miliona rrënjë të tjera kanabis në mbarë vendin. Por specifike është edhe fakti se këtë vit, të gjitha parcelat e drogës të korra nga policia dhe të tjerat që ruhen prej saj, kanë qenë jetime. Shqiptarët që panë berberët e arrestuar nuk kanë parë deri sot një fermer pronar parcele të arrestuar. Kjo sepse këtë vit arat e kanabisit që të gjitha janë të deputetëve e drejtuesve lokalë dhe qendrorë të Partisë Siciliste, janë të inspektorëve, drejtorëve të policisë. Prandaj dhe çdo operacion gjithnjë rezulton se bëhet në tokën e askujt! Sb”, shkruan ai.
Lidhur me akuzat e opozitës për trafikun e drogës, kryeministri Rama paralajmëroi publikimin e disa informacioneve, të cilat do t’i bëhen të ditur publikut nesër paradite.
“Nesër në 11.30, të gjithë do të mund të shohin se kush e ka lejuar dhe kush e ka luftuar drogën në Shqipëri! Prova e fakte kuptimplota liveTv”, shkroi Rama në profilin e tij.
Etiketa: Sali Berisha, Shqipëri