Greqi, zgjedhjet forcuan pozitat e Tsiprasit


E hënë, 21 Shtator 2015

Athinë – Syriza e priste fitoren, por jo me këtë lloj marzhi. Vetëm pak ditë më parë, sondazhet parashikonin një garë tmerrësisht të ngushtë mes saj dhe rivalëve konservatorë të Demokracisë se Re. Në vend të kësaj, Syrizës iu ofrua në pjatë të argjendtë mundësia për të krijuar pa kokëçarje një koalicion qeverisës me partnerët e mëhershëm, Grekët e Pavarur.

Kritikët pyesin nëse ia vlejti barra qeranë të mbaheshin ca votime që lanë në pushtet po të njëjtën parti. Megjithatë, vetë Tsiprasi nga kjo situatë ka dalë i fituar. Ish-kryeministri grek sot i ka pozitat më të forta se më parë, ndërsa rezultatet zgjedhore përligjën vendimin e tij për të pranuar masat e shtuara anti-krizë në këmbim të parave të dorëzanisë. Kremtimet sidoqoftë kanë qenë të heshtura: këtë herë nuk pati grumbullime masive njerëzish që këndojnë, kërcejnë e valëvisin flamuj partiakë.

Greqinë e presin kohë mbase edhe më të vështira: rritje taksash e ndoshta, shkurtime të mëtejshme pagash dhe asistence. Tsiprasi fitimtar në duar ka një thes me erë, të cilin askush nuk do ta kishte zili. Qeverinë e re e presin detyra urgjente, sepse ndihmat e fundit të donatorëve ndaj Greqisë së kërcënuar prej falimentimit janë të lidhura me kushte: qysh në tetor qeveria e re duhet të zbatojë masat e kursimit dhe privatizimet, që janë miratuar nga parlamenti i mëparshëm.

Pak pas zgjedhjes në krye të ekzekutivit për herë të parë në muajin janar, homologu italian Matteo Renzi i dhuroi një kravatë të mëndafshtë. Lideri i të majtës greke, i njohur për veshjet jozyrtare e të qënit në përgjithësi një tip jo ceremonial, premtoi ta vendoste në momentin kur kriza e borxhit grek të merrte zgjidhje. Ajo kravatë ende nuk është shfaqur në qafën e liderit më të ri politik të historisë moderne greke dhe njeriut që farkëtoi reputacionin ndërkombëtar e sfiduesit të politikave antikrizë të Europës. E me shumë gjasë, do të qëndrojë e varur në dollap edhe për ca kohë./TCH/

Të fundit