Rrëmbim dhe dhunë ndaj një personi në Gjakovë, për vetëm 5 euro borxh


E premte, 25 Shtator 2015

Gjakovë – Rasti i raportuar nga Policia e Kosovës, për rrëmbim dhe ushtrim të dhunës ndaj një personi, i ndodhur të enjten në mbrëmje në Gjakovë ka ndodhur për shkak të një borxhi që viktima kishte ndaj të rrëmbyesve.

Zyrtarë të Stacionit Policorë të Kosovës për rajonin e Gjakovës, të cilët kanë dhënë detaje shtesë për këtë ngjarje për lajmi.net, kanë bërë të ditur se të dyshuarit kishin rrëmbyer viktimën M.H., 19 vjeçar, i cili siç ka deklaruar në polici, u kishte pasur borxh rrëmbyesve një shumë prej 5 eurove.

Kristë Gjokaj, komandant Stacionit Policor për rajonin e Gjakovës, ka thënë se rrëmbyesit dhe viktima të cilët janë nën moshën 20 vjeçare kanë qenë shokë më herët.

Ai ka treguar për lajmi.net, se polica gjatë patrullimit në qytet ka vërejtur një qytetar në gjendje jo të mirë, i cili më pas ka ndalur patrullën dhe ka treguar për ngjarjen.
“Patrulla e njësisë për ndalim të shpejtë ka qenë duke patrulluar në qytet, ku kanë vërejtur një qytetar të hutuar i cili ka ndaluar patrullën dhe i ka treguar rastin, se ka qenë i rrëmbyer nga disa persona, shokë të tij me motivin, një borxh prej 5 eurove”.

“Personat e dyshuar kanë marr qytetarin e kanë futur në veturë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij, ku pas një kohe ai ka arritur të ikë nga ata dhe të lajmërohet në polici”, ka bërë të ditur Gjokaj.

Ai ka thënë se të dyshuarit B.Q., 19 vjeçar dhe D.I., 21 vjeçar, janë arrestuar nga polica gjysmë ore pas nisjes së aksionit ku është konfiskuar edhe një veturë e të dyshuarve.
“Ne kemi vepruar menjëherë dhe pas tridhjetë minutave i kemi arrestuar të dyshuarit, ku edhe kemi konfiskuar veturën e cila ka qenë pjesë e rastit dhe të dyshuarit i kemi dërguar në mbajtje, ku vazhdojnë të jenë të ndaluar”, ka thënë Gjokaj.

Etiketa: , , ,
Të fundit