BMW X5 e vjedhur në Fushë Kosovë, e gjeti INTERPOLI në Serbi


E mërkurë, 30 Shtator 2015

Vetura e tipit BMW X5 të cilën hajnat e vodhën në oborrin e familjes Cakolli në Fushë Kosovë, derisa ata ishin ardhur për pushime nga Suedia, tash është gjetur në Serbi.

Familja Cakolli e ka konfirmuar lajmin dhe ka treguar për portalin Infokusi se vetura e tyre është gjetur falë angazhimit të policisë suedeze dhe Interpolit.

Gruaja e Vehbi Cakolli, Aferdita e cila jeton në Suedi, sot është paraqitur në redaksinë e portalit INFOKUSI për të lajmëruar që veturën e tipit BMV X5 që i është vjedhur gjatë pushimeve verore sa ishte në Kosovë tashmë e kanë gjetur.

Ajo ka treguar se menjëherë pas vjedhjes së veturës, 5 anëtarëve të familjes Cakolli iu është dashur të kthehen me aeroplan në Suedi.

Dy javë pasi janë kthyer në Suedi, ata i ka telefonuar policia suedeze dhe ia ka kumtuar lajmin që vetura e vjedhur është gjetur në shtetin e Serbisë.

Të çuditur se si është e mundur që vetura të vidhet në Fushë Kosovë e të gjendet në Serbi, ata menjëherë e kanë lajmëruan sigurimin ku e kishin të siguruar veturën në mënyrë që ata t’i bartin shpenzimet për sjelljen e veturës deri në Suedi.

“Nga sigurimi i veturës morëm përgjigje negative, pasi vjedhja ka ndodhur në Kosovë dhe Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për kompensim dëmi”, tregon Afërdita për portalin Infokusi.

Atëherë, siç thotë ajo, burri i saj Vehbi Cakollit është dashur të paguaj edhe një biletë aeroplani nga Malmo për në Beograd dhe më pas të vazhdojë për në një fshat afër Krushevcit.

“Veturën burri e ka gjetur në atë fshat afër Krushevacit. Hajnat e kishin dëmtuar derën. Me sa më kujtohet mua vetura nuk i kishte bërë më shumë se 100 kilometra, sepse në mungesë të kodit në çelës ajo është bllokuar”, thotë Afërdita.

Ajo tregon se pasi e kanë kthyer makinën në Suedi, për kureshtje kanë thirrur edhe Policinë e Kosovës dhe pa i treguar se vetura është gjetur ata kanë pyetur policinë se ku gjenden me procedim të rastit?

Nga policia, ajo thotë se morën përgjigje me frazën e njohur “hetimet rreth rastit po vazhdojnë”.

Ndërsa, as policia suedeze dhe as ata në Serbi nuk i kanë treguar nëse janë kapur edhe hajnat të cilët ia vodhën veturën në Fushë Kosovë.

Të fundit