E enjte, 29 Gusht 2013
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të mbajtur të enjten në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që të ndryshohet rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Hoxhaj para anëtarëve të KS të OKB-së ka prezantuar zhvillimet kryesore politike që kanë ndodhur në Kosovë, gjatë tre muajve të fundit.
Lidhur me procesin e bisedimeve në Bruksel, ai tha se që nga 19 prilli, janë mbajtur pesëmbëdhjetë takime ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe Dacic në Bruksel.
Hoxhaj gjithashtu theksoi se dështimi i Beogradit që të pranojë marrëveshjen për energjinë dhe telekomin këtë javë, marrëveshje kjo që është në pritje qe dy vite, është dëshmia më e mirë e mungesës së vullnetit politik për të zgjidh çështjet e hapura ndërshtetërore.
“Megjithatë, ne mirëpresim hapjen e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe emërimin e Ambasadorit tonë nga Zagrebi për të filluar misionin në Beograd”.
Para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, duke theksuar se kjo çështje vazhdon të jetë prezente në shoqërinë e Kosovës.
“Kjo kërkon angazhim të sinqertë dhe bashkëpunim nga Beogradi dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare. Sa më shpejt të zgjidhet fati i tyre, më të larta do të jenë shanset për pajtimin ndër-etnik dhe ndër-shtetëror midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Hoxhaj.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për Kombet e Bashkuara për rolin e tyre në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe konsolidimin e paqes në vend. Po ashtu ka shtuar se nuk ka asnjë dyshim se UNMIK-u ka luajtur një rol aktiv në stabilizimin e Kosovës nga viti 1999 deri në vitin 2007. Por, theksoi se tani është e rëndësishme të pranojmë se UNMIK-u nuk ka më një rol për të luajtur në Kosovë.
“Është koha për këtë Këshill të konsideroj transformimin e misionit të UNMIK-ut në një zyrë politike të OKB-së, e cila do të koordinonte të gjitha agjencitë e OKB-së, fondet dhe programet. Në këtë drejtim, funksionin më të rëndësishëm që OKB mund të luajë në Kosovë është që të na mbështesë në përgatitjen tonë për aderim në Kombet e Bashkuara”.
Hoxhaj tha se Kosova e kupton se për të arritur këtë është i nevojshëm vullneti politik dhe uniteti midis anëtarëve të këtij Këshilli.
“Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që të ndërmarrë aktivitete konkrete, me kohë dhe definitive që do t’i mundësonin Kosovës që të marrë vendin e saj që i takon në familjen e kombeve të lira dhe demokratike”.
Hoxhaj shprehu angazhimin e fortë për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë, dhe të marr seriozisht të gjitha detyrimet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar integrim të paqësor të komunave veriore në institucionet e Kosovës.
“Megjithatë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore do të arrihet atëherë kur Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kontributi ndërkombëtar do të përfundojë kur Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Kombeve të Bashkuara”, tha ministri Hoxhaj, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/