E enjte, 11 Shkurt 2016
Ish-negociatori i statusit të Kosovës, Albert Rohan, ka komentuar ngjarjet politike në Kosovë, krizën politike, integrimet euroatlantike dhe imazhin e Kosovës në botë.
Në një intervistë për Republika.info, Rohan si bashkëhartues i Pakos së Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës, ka thënë se ekceset e dhunshme të muajve të fundit kanë dëmtuar seriozisht imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Në një demokraci, ballafaqimi politik bëhet në mënyrë paqësore, argumentet dhe debati politik duhet të bëhet në Parlament”, ka thënë Rohan.
Sipas tij, në një demokraci asnjëra palë nuk mund të imponojë mendimin e tyre me forcë. Por, ai thekson se në fund të fundit, i takon votuesve që përmes zgjedhjeve paqësore të marrin vendimin dhe qëndrimin e tyre për politikat qeveritare.
Rohan ka sugjeruar se zgjedhja e vetme për të dalë nga kjo situatë është kthimi në institucione i opozitës. Kjo, sipas tij, duhet të vlej edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Parlamenti, i cili duhet të marrë shumicën e votave të nevojshme”, ka thënë Rohan.
Ai ka paralajmëruar se çdo tendencë për të parandaluar zgjedhjen e presidentit përmes përdorimit të dhunës do të ishte një gabim shumë i madh.
“Tendenca për të parandaluar apo ndikuar në zgjedhjen e presidentit, përmes akteve të dhunës duhet të dënohet. Praktika të tilla nuk kanë vend në një demokraci”, ka thënë Rohan.
Integrimet Evropiane
Ish-negociatori Albert Rohan ka folur edhe për rrugën e mundimshme të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, qëllimi i përfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit në BE ende është real.
“Sa shpejt ndodh kjo varet kryesisht nga vetë shtetet aspiruese”, ka thënë Rohan.
Por, ai ka treguar për pasojat që mund të ketë çfarëdo përjashtimi i shteteve të Ballkanit nga një proces i tillë.
“Një përjashtim i pjesës evropiane nënkupton përhapje të dukurive negative si dobësi ekonomike, institucione të dobëta, korrupsion dhe përhapjen e krimit të organizuar. Dhe këtë nuk e dëshiron askush”, ka thënë Rohan.
Sa i takon procesit të liberalizimit të vizave, Albert Rohan është optimist se kjo mund të ndodh shumë shpejt.
“Është koha e fundit që liberalizimi i vizave me Kosovën të jetësohet. Sapo të plotësohen të gjitha kushtet nga Kosova, kjo do të ndodh. Unë shpresoj që të ndodh këtë vit”, ka thënë Rohan.
Sipas tij, transformimi i shoqërisë varet kryesisht nga vetë kosovarët, por një platformë shumë e mirë për të jetësuar këtë është padyshim Bashkimi Evropian.
“Procesi i anëtarësimit në BE, megjithatë mund të jetë pikënisje për një transformim të tillë, ku Kriteret e Kopenhagenit duhet të jenë pikë referimi. Ato duhet të plotësohen para se një vend t’i bashkohet BE-së. Kjo vlen për institucionet demokratike, si dhe për një ekonomi konkurruese të tregut të lirë”, ka thënë Rohan.
Albert Rohan, ishte zëvendës i të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për procesin e statusit të Kosovës. Bashkë me ish presidentin finlandez, Marti Ahtisaari, Rohan ishin hartues të Pakos, në bazë të cilës Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Etiketa: albert rohan, Kosova