Arabi Saudite – Obama takon Mbretin Salman, tensionimi duket edhe në pritje


E enjte, 21 Prill 2016

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, realizoi mbrëmjen e të mërkurës një takim me Mbretin Salman bin Abdulaziz të Arabisë Saudite, ku shkoi për të marrë pjesë në Samitin e Këshillit të Bashkëpunimit SHBA-Gjiri Persik.

Vizita e fundit në Arabinë Saudite e Barack Obamas, përpara se ai të dorëzojë mandatin e kreut të shtetit amerikan, po vijon nën klimën e tensionimit ndërmjet dy vendeve.

Projektrezoluta, që ka jo pak gjasa të miratohet nga Kongresi amerikan dhe akuzon Mbretërinë Saudite për sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, u prit me reagime të fuqishme nga Riadi.

Tensionimi SHBA-Arabi Saudite u duk qartë edhe në ceremoninë e pritjes së Presidentit Obama, ku nuk shkoi vetë Mbreti Salman, por mëkëmbësi (prefekti) i tij në Riad.

Pavarësisht tensionimit mes dy vendeve, liderët përcollën mesazhin e vijimit të miqësisë dhe të bashkëpunimit strategjik.

Gjatë takimit rreth 2 orë të gjatë, Mbreti Salman dhe Presidenti Obama diskutuan për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, për krizën siriane dhe terrorin e DAESH-it.

Dy liderët ranë dakord për të mbështetur fuqishëm vazhdimin e armëpushimit, gjithsesi të brishtë, në Siri, si dhe për të ndihmuar tranzicionin politik në këtë vend.

Në takim, palët shqyrtuan në detaje edhe praninë e DAESH-it në Irak duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e pastrimit të rajonit nga terrori.

Presidenti Obama, nga ana e tij i përcolli Mbretit Salman shqetësimet në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.

Etiketa: , ,
Të fundit