E shtunë, 14 Maj 2016
Në familjen e Rankës dhe Zore Boljanoviqit në fshatin Hrupjela të Bosnjës, gjeli filloi të bëjë vezë në forma të pazakonta, të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme, transmeton Klan Kosova.
Ranko ka thënë se gjelin 1 vjeçar e kishte blerë para gjashtë muajsh në Ljubinje, dhe se pas një kohe e ka vënë re që po sillet çuditshëm.
“Deri në gjysmën e ditës ka qenë mashkull, ndërsa në pjesën tjetër të ditës femër”, ka thënë Boljanoviq, i cili shton se në mëngjes gjeli është shumë i shqetësuar dhe kakaris si një pulë, ndërsa pasdite këndon dhe qarkullon nëpër oborr.
Ai sqaron se fillimisht për vezët mendoi se ishin nga pula, edhe pse nuk ishin të zakonshëm dhe me forma më të zgjatura.
Që gjeli nuk është “tamam mashkull”, Ranko dhe gruaja e tij e kanë vënë re kur e kanë parë duke ndenjur në folenë e pulave.
“E kemi parë duke pushuar në kotec të pulave. Para se të shkonte aty, vendi qëndronte i zbrazët, ndërsa pasi ngrihej mbeteshin vezët”, deklaroi Ranko dhe shtoi se gjeli nuk bën vezë edhe shumë shpesh, por çdo 10-15 ditë, transmeton Klan Kosova.
Boljanoviq tregon se vezët e gjelit nuk e kanë pjesën e verdhë të vezës, por kur i fërgojnë ato shfaqen në mënyrë normale.
“Nuk i konsumojmë për ushqim deri sa nuk përcaktohet se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë çifti.
Ranko shprehet se gjeli i tij jeton “jetë moderne” dhe se pulat nuk i interesojnë shumë. Ai tashmë është shndërruar në atraksion për gjithë qytetin.