“Kosova e Re” nuk fillon as këtë vit


E hënë, 16 Maj 2016

Prishtinë – Projekti më i diskutuar për një dekadë më radhë, Termocentrali “Kosova e Re”, sipas shumë gjasash, nuk do të fillojë së ndërtuari as gjatë këtij viti, pavarësisht premtimeve nga zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës.


Ndërtimi i këtij termocentrali vazhdimisht është vlerësuar si stabilizues i furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ditë më parë ka treguar për angazhimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në realizimin e projektit, por ka lënë të kuptohet se gjasat për fillimin e ndërtimit të tij gjatë këtij viti janë të vogla.

“Me investitorin amerikan jemi në përmbyllje të fazës së marrëveshjeve komerciale dhe presim që nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut të vazhdojmë me fazën tjetër, që do të jetë pakoja tenderuese për ndërtimin e Termocentralit. Nëse nuk kemi pengesa, një vit nga tash do të nis puna e vërtetë e një prej investimeve më të mëdha në të gjithë sektorët”, ka thënë Stavileci.

Ofertuesi i përzgjedhur për ndërtimin e këtij termocentrali është kompania Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile nuk i kanë kursyer kritikat gjatë gjithë procesit dhe projektimit, si dhe kanë ngritur si shqetësim mungesën e transparencës nga autoritetet kompetente.

Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), duke e quajtur të pakuptimtë zvarritjen e fillimit të ndërtimit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procesi si i tillë është përcjell më shumë parregullsi.

“Kjo është nga mos transparenca dhe ne nuk kemi kontratë dhe nuk e dimë se çfarë është nënshkruar, çfarë termash, çfarë afatesh. Madje ne nuk e dimë se kush dhe çka ka përgjegjësi konkretisht. Ne anën tjetër, ne e kemi thënë vazhdimisht se edhe përkundër asaj që ministria insistonte që do të përfundojë shpejt, një termocentral i tillë do të merr disa vite deri sa të funksionalizohet”, ka thënë Puka.

Por, njohës të proceseve energjetike në Kosovë dyshojnë se zvarritja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” po bëhet më qëllim.

Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “ Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, këtë zvarritje e quan sabotim të zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë.

“Unë e shoh si zvarritje dhe bllokim të procesit nga lobuesit, që Kosova mos të mund të prodhojë energji. Kosova vlerësohet vendi i tretë në Evropë për sasinë e linjitit dhe mundësinë që ka për të ndikuar në tregun energjisë.”

“Qeveria, me dashje apo pa dashje, me dije apo pa dije, ka rënë në kurthat e dikujt, që është vështirë të identifikohet pse po ndodh kjo zvarritje. Përndryshe, bllokimi i gjenerimit të energjisë qëllimisht është bllokuar nga dikush”, ka vlerësuar Malushaj për Radion Evropa e Lirë.

Kushtrim Puka ndërkaq shprehet se KOSID-i konsideron se Kosova nuk ka nevojë për një termocentral të tillë, pasi ekzistojnë alternativa tjera të furnizimit më energji elektrike.

“Kosova nuk ka pasur nevojë që të bllokojë vetën për 40 vitet e ardhshme, në një situatë ku ne ballafaqohemi më një termocentral të ri, që bazën e ka në qymyr dhe prapë do të ketë ndotje të ambientit dhe pasoja në shëndetin publik”, ka theksuar Puka.

Në një raport, të publikuar në fund të vitit të kaluar nga ky konsorcium, thuhet se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të dëmtojë ekonomitë familjare dhe ekonominë e përgjithshme, pasi do të rris çmimin e energjisë elektrike për rreth 50 për qind.

Ndryshe, në vitin 2005 kanë filluar përgatitjet për ndërtimin e këtij termocentrali, më një kapacitet gjenerues fillimisht prej 2,100 megavatësh. Por, pas ndryshimeve që janë bërë ndër vite, ky termocentral pritet që të ndërtohet me kapacitet gjenerues prej 500 megavatësh. /Rel/

Të fundit