Brenda javës PDK-ja plotëson vendet me ministra në Qeveri


E mërkurë, 18 Maj 2016

PDK-ja pret që vendet e lëna bosh në qeveri nga bërja e Thaçit President të plotësohen brenda javës.

Sekretari i PDK-së Basri Musmurati thotë për KALLXO.com se PDK-ja nuk pret riformatizim më të gjerë se plotësimi i këtyre vendeve.

“Riformatizim më të madh nuk do të ketë. Shumë shpejt do të plotësohen tri vendet vakante që janë. I kemi kandidu njerëzit dhe presim që këtë javë të emërohen. Ne si parti kemi propozu zëvendëskryemistër Hajredin Kuçin, ministër të Punëve të Jashtme Enver Hoxhajn dhe ministër të Drejtësisë Gani Kocin,” tha Musmurati.

Ndërsa Faton Abdullahu, këshilltar për Media i Qeverisë së Kosovës, nuk precizoi ndonjë datë se kur do të bëhet plotësimi i vendeve vakante.

Ai nuk e mohoi se mund të bëhet riformatizim më i gjerë i qeverisë.

Abdullahu tha se ka dallim mes plotësimit të vendeve vakante dhe riformatizimit, duke cekur se janë duke përciellur performancat e dikastereve në mënyrë që koalicioni të vendosë për riformatizim.

“Janë duke u përcjellë performancat e dikastereve me qëllim që brenda një të ardhme të afërt mund të vijë edhe te konkludimi i dy partnerëve po edhe të tjerëve për të bërë formatizim,” tha ai.

Riformatizimin më të gjerë të qeverisë e kërkoi kryetari i PDK-së Kadri Veseli më 10 maj.

Faton Abdullahu nuk ka treguar se koalicioni qeverisës i ka propozuar emrat, ndërkaq ka thënë se “Besoj që koalicioni përkatës që merr pjesë në konstituimin e qeverisë kur të vijnë me propozime përkatëse atëherë Kryeministri Mustafa do ta marrë në shqyrtim dhe do të vendosë për ato propozime”.

Sipas tij, takimi i fundit në të cilin mendohet se është folur për riformatizim të qeverisë është ai kur Kryeministri Mustafa është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës për t’ia uruar postin e ri, atë të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk e di, ka mundësi që një nga takimet që mund të jetë përmendur kjo është takimi kur Kryeministri ka vizitu zotin Veseli dhe e ka uruar për detyrën e re,” theksoi Abdullahu.

Ndryshe, Hajredin Kuçi, i cili është propozuar për zëvendëskryeministër aktualisht mban postin e ministrit të Drejtësisë, Enver Hoxhaj që është propozuar Ministër i Punëve të Jashtme është vetëm deputet i Kuvendit të Kosovës, kurse Gani Koci që është propozuar për Ministër të Drejtësisë mban postin e zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik.

Etiketa: , ,
Të fundit