E martë, 24 Shtator 2013
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se skandalet të cilat kanë ndodhur në stafin diplomatik të Kosovës në Zagreb dhe në Berlin, janë çështje e komisioneve disiplinore, që merren me ankesa.
Ai ka theksuar se rasti i skandalit në kryeqytetin kroat ka qenë i konfirmuar dhe i paraqitur nga autoritetet kroate, ndërsa rasti i skandalit në konsullatën e Kosovës në Berlin, ka qenë më shumë tentative mediale për të ri-hapur një rast tashmë të mbyllur të marrëdhënieve jo të mira njerëzore midis ish-stafit të Ambasadës në Berlin.
“Shumica absolute e stafit në ambasadat e Kosovës nëpër botë, shërbejnë me dinjitet atdheut dhe ofrojnë shërbime dhjetëra mijëra kosovarëve çdo vit”, tha ai për Telegrafin.
Selimi ka folur edhe për njohjet, duke theksuar se javët në vijim pritet të ndodhin njohje të reja për Republikën e Kosovës.
Ai ka sqaruar se ministri Hoxhaj ka bërë disa udhëtime zyrtare por edhe disa konfidenciale në shtete të cilat enden nuk e kanë njohur Kosovën.
“Takimet e ministrit po vazhdojnë edhe në New York, respektivisht Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe shumë shpejt presim që për Kosovën të vijnë tri njohje dhe atë nga tri kontinente, të cilat do ta rrisin numrin në 8 të njohjeve në vitin 2013”, tha ai për Telegrafin.