Ahmeti: Të futet më shumë në funksion transporti publik


E diel, 13 Tetor 2013

Prishtinë, 13 tetor – Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti të dielën ka prezantuar planin për shkarkimin e trafikut urban në kryeqytet.

“VV nuk e trajton kompaninë Trafiku Urban si barrë buxhetore dhe me planin tonë kjo ndërmarrje do të shndërrohet në aset të rëndësishëm për secilin qytetar të Prishtinës, i cili pas implementimit të këtij plani do të zgjedhë trafikun publik për të udhëtuar, e jo makinën private”, tha Ahmeti. Pas paraqitjes së problemeve kryesore me të cilat ballafaqohet trafiku publik, Ahmeti paraqiti planin konkret për zgjidhjen e problemeve në këtë fushë.

Me këtë plan parashihet që brenda 6 muajsh të bëhet MCA (Multi Criteria Analyses) për zhvillimin e rrjetit, që do të bazohet në këto parime:

– shkurtimi i kohës mesatare që shpenzon pasagjeri gjatë shfrytëzimit të trafikut publik

(koha e ecjes deri në stacionin e radhës, pritjes së autobusit, vozitjes dhe e transferimit)

– thjeshtësimi i linjave,

– shtrirja e linjave në të gjitha pjesët e qytetit si dhe stacionet e autobusëve nuk duhet të jenë më larg se sa 300 metra nga çdo shtëpi apo banesë e qytetarit,

– shtrirja e linjave për mbulim të qarkullimit të punëtorëve,

– minimizimi i mbivendosjes së linjave,

– të zvogëlohet numri i transferimeve nga linja në linjë për të arritur deri te destinacioni përfundimtar.

Pas kësaj analize do të krijohet sistemi i ri i linjave, që do të ndërtohet në këto parametra:

– një linjë kryesore në unazën e brendshme të qytetit që lidh pikat kryesore të qendrës,

– niveli i dytë i linjave që bën lidhjet e arterieve kryesore me qendrën e qytetit

– niveli i tretë i lidhjeve lokale nëpër qytet.

Linjat kryesore të qytetit do të kenë të instaluar sistemin e GPS përcjelljes, që udhëtarët të dinë saktësisht ku gjenden autobusët – investim ky që ka kosto prej vetëm 18 mijë eurove, do të avancohet sistemi i pagesave të biletave me teknologji moderne, trafiku urban do të jetë falas për pensionistët, rastet sociale dhe grupe të tjera shoqërore në nevojë, në arteriet kryesore, posaçërisht ato që ballafaqohen me trafik kulmor gjatë pjesëve të caktuara të ditës, një korsi do të jetë e rezervuar vetëm për autobusët, taksitë dhe makinat e emergjencës.

Etiketa: ,
Të fundit