VV: Shkeljet ligjore të PDK-së, edhe gjatë fushatës


E hënë, 21 Tetor 2013

Lëvizja vetëvendosje ka reaguar ndaj pengesave që i janë bërë këtij subjekti politik për mbajtjen e një tubimi elektoral në fshatin Janjevë të Komunës së Lipjanit.

“Më datën 20 tetor 2013, në tubimin e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në fshatin Janjevë të Komunës së Lypjanit që ishte paralajmëruar më parë në KKZ dhe në Policinë e Kosovës, në të njëjtën kohë shtabi zgjedhor i PDK-së kishte organizuar mbledhjen në shkollën ku po mbahej tubimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligjin për zgjedhjet. Me këtë ligj është e paraparë që së paku diferenca nga një tubim në tjetrin të jetë 2 orë, thuhet në reagimin e VV-së.

“Mirëpo qëllimi dihet: Ata po mbanin mbledhje të shtabit në shkollë gjë që është e ndaluar dhe me qëllim të prishjes së tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Drejtori i kësaj shkolle, i cili u shpreh haptas që është anëtar i PDK-së, e kishte lejuar një gjë të tillë”, thuhet më tej në reagim.

“Gjatë mbajtjes së tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kryetari i Rinisë Demokratike, Faruk Berisha, tentonte t’i nxirrte njerëzit nga klasa duke iu bërë thirrje telefonike. Me këtë rast polici me numër 1537 i cili ishte thirrur të mbante rendin dhe sigurinë gjatë tubimit refuzonte të bënte raport sa i përket kësaj shkelje të PDK-së dhe në prezencën e tij aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u kërcënuan nga drejtori i shkollës i cili siç e thamë më herët ishte edhe organizator i kësaj mbledhje. Për më tepër ai kërkonte nga ne që ta lirojmë objektin e shkollës sepse nuk i interesonte që po bënte shkelje ligji. Për më shumë asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë të pengoj tubimin e një subjekti tjetër dhe aq më pak nuk duhet të jetë prezent brenda objektit ku do të mbahet ndonjë tubim elektoral. Gjë të cilën e bënë mbrëmë militantët e PDK-së”, thotë VV.

“Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje se si polici nën presionin e drejtorit të shkollës nuk ishte në gjendje t’i përmbahet marrëveshjes KKZ-Polici ashtu siç e thotë ligji për zgjedhjet. Mundësia ishte e madhe të kishte përleshje në mes të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe militantëve të PDK-së pasi që ata dëshironin të merreshin vesh me ne, e ne donim që të zbatohej ligji, pra të nisej procesi për ta. Sepse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe KKZ-në e po ashtu edhe respektimin dhe përfilljen e ligjeve për zgjedhjet në Kosovë”, përfundon reagimi i VV-së, duke ia bashkangjitur reagimit edhe formularin e paraqitjes sw tubimit publik.

Etiketa:
Të fundit