Çeku: Do ta afirmojmë inxhinierinë


E hënë, 21 Tetor 2013

Prishtinë, 21 tetor – Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Agim Çeku, sot ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve të Kosovës.

“Ne kemi ardhur këtu jo ta kërkojmë votën tuaj, por t’iu themi se inxhinierinë do ta afirmojmë bashkë, që të rinjët t’i zgjedhin këto profesione, sepse janë më së të nevojshme, të cilat fatkeqësisht janë deficitare tek ne. Kemi ardhur t’iu themi se ne do të ndërtojmë partneritet me shoqatat dhe shoqërinë civile gjatë qeverisjes sonë. Ky komunitet duhet të zhvillohet dhe të na ndihmojë neve në përkrahjen e të rinjëve tanë, ata duhet të marrë hapin që nga shkollat e mesme”, ka thënë Çeku.

Ndërsa, Mehmet Pula nga Shoqata e Inxhinierëve, ka thënë se janë shumë të nevojshme përkrahja dhe investimet, në mënyrë që të kemi sa më shumë kuadro të përgatitura në këtë fushë. “Projektet kërkojnë përkrahje dhe stimulim dhe me të gjitha këto parregullsi që po përballet elektro-energjetika, mendoj që është koha të reagojmë dhe të ngrisim zërin për të filluar realizimin e projekteve, në mënyrë që të kemi një ambient të pastër, duke u nisur nga shtëpitë tona, komunat dhe më gjerë”, ka thënë Pula.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, shoqatës së inxhinierëve, iu ka premtuar se në mandatin e tij, do të bashkëpunoj ngushtë dhe do t’i mbështesë projektet e tyre.

Të fundit